Shqipëri, përfundoi protesta e opozitës, u hodhën shashka dhe tymuese drejt Kryeministrisë

Flakadanë me ngjyra dhe shashka kanë hedhur protestuesit drejt kryeministrisë, pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, në protestën e opozitës. Kryeministria është e rrethuar nga një kordon policor, megjithatë nuk ka reagime të këtyre të fundit, shkruan RTSH.

Me tone të larta dhe akuza të forta, kreu i Partisë Demokratike, zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga podiumi i improvizuar para kryeministrisë, Berisha e bëri Ramën përgjegjës për ato që i konsideroi “krime kushtetuese”, teksa deklaroi se aksioni i opozitës nuk do të ndalet deri në largimin e Ramës.

Sipas Berishës, Rama ka fshehur tanke nëpër tunele në Surrel, ndërsa shtoi se ai nuk mund të jetë “kurrë” kryeministër i Shqipërisë.

“Cunam popullor i revolucionit demokratik. Qëllimi i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat. ‘Watergate’ i shekullit të 21. Edi Rama është i vetmi kryeministër i cili përmendet 14 herë në akt-padinë e çështjes ku ai korruptoi si vrasës me pagesë kundër opozitës së Shqipërisë dhe pluralizmit politikë. A ka krim antikushtetues më të shëmtuar se ky? A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi se ky? Edi Rama nuk mund të jetë kurrë kryeministër i Shqipërisë. Atë nuk e shpëton asgjë, asnjë skutë asnjë gënjeshtër, asnjë marrëveshje, jep dorëheqjen dhe largohu! Edi Rama në Surrel ke futur në tunele tanke të ushtrisë. Ato tanke largoi nga Surreli, gjysmat e tyre çoi në Ukrainë sepse idealet tona, mjerë ti që mendon se mund të mbrohesh në këtë mënyrë. Shqipëria shihet sot në mbarë botën si strofull e korrupsionit, krimit dhe drogës. Njësoj si të ishte aleat i Putinit korruptoi një nga njerëzit më të çmuar në fushën e sigurisë në SHBA, duke kryer një akt armiqësor ndaj këtij vendi, për të cilin Putin, Lukashenko janë gati të të varin në qafë deklaratën e tyre më të lartë. Edi Rama, gjatë këtyre viteve në pushtet ke kryer të gjitha llojet e tradhtive, pro në kodin e lashtë të Kombit tonë, tradhtia më e ultë është tradhtia ndaj mikut që ndëshkohet në mënyrën më të rëndë. Ndaj kërkoj jep dorëheqjen, largohu aty ku ke vendin, te shtylla e turpit. Revolucioni ynë do fitojë. Revolucioni jonë nuk ndalet deri në largimin tënd”, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka njoftuar mbylljen e protestës për ditën e sotme duke bërë të ditur se revolucioni do të vazhdojë të hënën në orën 17:00 përpara Parlamentit kur është dhe seanca plenare.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button