Kurti: Nuk ka marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman, nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare, shkruan REL.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në pyetjet parlamentare, deputetët opozitarë kritikuan kreun e Qeverisë për mostransparencë lidhur propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje, e cila është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve”, tha kryeministri.

“Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Berlini e nga Parisi që të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme sepse kjo do shumë procese negociatash të thella e të gjata”, tha ai.

Emisarët evropianë, emisarët franko-gjerman, shtoi Kurti “nuk na kanë sjellë një dokument në stilin ‘merre ose lëre’”.

Ndërkaq, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në propozimin franko-gjerman nuk është as parakusht e as në qendër.

“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, tha Kurti .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button