Zelensky para Parlamentit Evropian: Ukraina po i mbron vlerat evropiane nga Putini i cili kërkon t’i asgjësojë

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u prit me duartrokitje në Parlamentin Evropian ku mbajti fjalim para deputetëve, ndërkaq do të marrë pjesë dhe në Samitin Evropian, ku pritet t’u bëjë presion shteteve-anëtare të BE-së që të dërgojnë avionë luftarak në Ukrainë, njofton Portalb.mk.

Presidenti Zelensky gjatë fjalimit tha se Ukraina është duke luftuar për të mbrojtur vlerat evropiane nga forcat anti-evropiane.

“Rusia nuk po sulmon vetëm ukrainasit, por edhe mënyrën evropiane të jetesës. Të gjithë ne e shijojmë këtë histori të përbashkët evropiane. Putini po përpiqet t’i asgjësojë këto vlera. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Zelensky duke shtuar se Putini është një diktator, i cili i keqpërdor armët sovjetike të regjimeve diktatatoriale për të arritur qëllimet e tij.

Ai i kërkoi BE-së që të vazhdojë të qëndrojë në kursin e deritanishëm të mbështetjes së Ukrainës, ndërkaq shtoi se edhe ata do të jenë pjesë e Unionit.

“Ukraina do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian – Bashkimi Evropian që po fiton”, shtoi Zelensky.

Presidenti gjithashtu e falënderoi BE-në për mbështetjen jetike që ua ka bërë ukrainasve, duke përfshirë armë, pajisjeve të furnizimit me energji dhe karburant.

Zelensky në fund të fjalimit u bëri ftesë të gjithëve që të vizitojnë Ukrainën. Pas fjalimit, kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola ia ka dhënë flamurin e Bashkimit Evropian, derisa të pranishmit kanë duartrokitur.

Presidenti ukrainas filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë.

Pas vizitës në Britani, presidenti ukrainas u nis për në Paris për darkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Turneu evropian i Zelenskyt dhë kërkesat e tij për armë më të avancuara erdhën në kohën kur Ukraina po përgatitet për një ofensivë ruse dhe po zhvillon planet e veta për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen e ashpër të Kievit.

Udhëtimi i Zelenskyt në kryeqytetet evropiane është udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt 2022. Në dhjetor të 2022, ai udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Presidentin Joe Biden, prej nga edhe iu drejtua Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button