Një pjesë e të punësuarve në AShAM prej sot hyjnë në grevë, të pakënaqur me pagat e ulëta

Një pjesë të punësuarve në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM), më konkretisht, punonjësit e sekretariatit dhe njësive profesionale të Akademisë, nga sot janë në grevë për shkak të pagave të ulëta që thonë se nuk janë rritur në 15 vitet e fundit, transmeton Portalb.mk.

Ata thonë se vendimi për të hyrë në grevë ndër të tjera ka ardhur për shkak të mosinteresimit të kryesisë së AShAM-it për gjetjen e një zgjidhjeje për rritjen e pagave të tyre, të cilat, siç theksojnë, janë pak mbi pagën minimale në vend.

Ata deklarojnë se gjatë kësaj periudhe disa herë janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për rritjen e pagave, por deri më tani nuk kanë gjetur mirëkuptim nga kryesia e AShAM-it.

“Fatkeqësisht, Kkyesia e AShAM-it, si dhe akademikët e tjerë, nuk janë shprehur aspak të shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhemi, duke iu shmangur me mjeshtëri përgjegjësisë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete për adresimin e nevojave tona themelore ekzistenciale”, njoftoi organizata sindikale e AShAM-it.

Ata theksojnë se problemi që kanë është bërë veçanërisht i padurueshëm në dy vitet e fundit kur për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit, vlera e pagave të tyre tashmë të ulëta është zhvlerësuar edhe më shumë.

Grevën ata e kanë paralajmëruar në fillim të këtij muaji, duke bërë kështu që për herë të parë në ekzistencën 56-vjeçare të AShAM-it punonjësit e Sekretariatit dhe të njësive profesionale hyjnë në grevë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button