Debat publik në Tetovë: Pa ndërtim sistemi për trajtimin e ujërave të zeza nuk ka BE (Video)
Në Komunën e Tetovës sot u zhvillua debat publik mbi temën “Ndërtimi dhe rikonstruimi i kolektorit dhe sistemit të kanalizimit, si dhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Projekti në fjalë i cili financohet nga Bashkimi Evropian do të përfshij sistemin e filtrimit të ujërave të zeza për Tetovën me rrethinë, pjesën fushore që është projektuar të përfshij 95 mijë banorë. I njëjti kap pjesën urbane, fshatrat Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falisht ku edhe pritet ndërtimi i sistemit të filtrimit. Është planifikuar të përfshijë numër prej 95 mijë banorëve, por që në perspektivë të mund të lidhet edhe me pjesët tjera të komunave rurale.
Konsulenti mjedisor, Marjan Mihailov theksoi se qëllimi i debatit të sotëm ishte të prezantohet ndikimi i këtij sistemi nga aspekti mjedisor.
“Kjo është një procedurë e përsëritur, ne e kemi kryer procedurën një herë në vitin 2017. Ajo po përsëritet sot për të përmbushur kërkesat e projektit”, tha Mihailov.
Sipas tij, studimi vlerëson atë që parashikohet si projekt bazuar në vendosjen e kushtit bazë mjedisor.
“Konkluzioni i përgjithshëm do të merr në konsideratë aspektet e ajrit, erës, që është një nga aspektet karakteristike të këtij lloj projekti, mbetjet, biodiversiteti, aspektet karakteristike që analizohen dhe si përfundim i përgjithshëm është se, siç është planifikuar, vetë projekti i grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza nuk do të ketë ndikim në mjedis, natyrisht nëse kryhet sipas planit”, theksoi Mihailov.
Ai ndër të tjera tha se procedura është drejt fundit, duhet të përfundojë sipas procedurës administrative dhe ligjit për mjedisin jetësor dhe të përfundojë me vendim për miratimin e studimit dhe më tej të jepet leje për shkarkimin e ujërave të zeza në vetë impiantin e trajtimit. Do të trajtohen ujërat e zeza komunale nga amvisëritë dhe ujërat e zeza industriale nga industria, trajtimit, 85 për qind nga familjet dhe 15 për qind nga fabrikat.
Hisen Xhemaili nga Ministria e Mjedisit, theksoi se ky projekt është planifikuar që nga viti 2012 dhe që më pas ka ndjekur disa procedura.
“MMJPH është në fazën e përpilimeve të projekteve kryesore edhe për fshatrat e malësisë së Tetovës dhe me këtë mund të themi se do të rrumbullakoset projektimi dhe më pas edhe ndërtimi i të gjitha stacioneve të filtrimit për ujërat e zeza. Aktualisht vendi jonë ka mungesë të filtrimit të ujërave të zeza, tani për tani është duke u zhvilluar procesi i fillimit të projektit për qytetin e Shkupit, më pastaj për Manastirin dhe vijon me Tetovën që është një projekt që kap vlerën e 33 milion eurove, fonde të siguruara nga fondet IPA”, tha Xhemaili.
I pyetur nga Portalb.mk se a ka afat konkret për fillimin e punëve në terren, Xhemaili tha:
“Pas këtij vlerësimi të ndikimit në mjedis, pas këtij debati, ky është një dokument që do të shërbejë për marrjen e lejes së ndërtimit për këtë projekt. Shpresojmë që ky projekt të finalizohet deri nga muaji prill-maj dhe të mund të shpallet procedura për implementimin e këtij projekti.”
Impakti i këtij projekti pritet të jetë me efekte pozitive në mjedis që të ketë ujëra të pastra, e cila siç tha Xhemaili është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian, që edhe vendi jonë të arrijë këto standarde për të pasur ujëra dhe ambient të pastër.
Nga ana tjetër, qytetarët gjatë debatit parashtruan pyetjet e tyre në lidhje me projektin në fjalë, me theks të veçantë ata ngritën çështjen e eksproprijimit të pronave në të cilat do kalojnë punimet.
Fatmir Sabriu nga Komuna e Tetovës tha se të gjitha propozimet dhe elaboratet i kanë dërguar te Ministria e Financave.
“Tani do të duhet që në koordinim më të intensifikuar me Ministrinë, gjithashtu edhe me bashkëpunimin tuaj sa më shpejtë të bëhet eksproprijimi i tokave. Ne mund të bëjmë gjithçka, ne kemi punuar vazhdimisht këtë vitin e fundit (2022) me Ministrinë e Ambientit për përgatitjen e dosjes tenderike dhe evaluimin e të njëjtës e cila do të shpallet shumë shpejtë. Mirëpo, ajo mund të shpallet dhe të përfundojë, të përcaktohet dhe të zgjidhet kontraktuesi që do të bëjë punimet, por në qoftë se nuk e kemi bërë eksproprijimin nuk mund të nisin punimet”, tha mes tjerash Sabriu.
Ai kërkoi nga qytetarët që të punojnë së bashku t’i bëjnë marrëveshjet në bashkëpunim me institucionet kompetente, dhe ta finalizojnë më shpejtë këtë procedurë.
Gjatë muajit prill pritet të shpallet thirrja publike ku do të mund të aplikojnë edhe kompani nga jashtë shtetit, pasi projekti është madhor dhe financohet nga Bashkimit Evropian dhe deri në fund të vitit sipas parashikimeve pritet që të zgjidhet kontraktori.
Ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini në një nga brifingjet me gazetarë ka theksuar se nuk do të mund të bëhemi anëtarë të BE-së pa ndërtim të stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup dhe në qytetet e tjera.
Ndërtimi i stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë në vitet e kaluara zvarritej, kështu që në vend që të nënshkruhen kontratat me ofertuesit më të përshtatshëm dhe fillim të ndërtimit, në vitin 2021 pasoi revidim i dokumentacionit teknik dhe tenderues dhe përgatitje për shpallje të tenderit të ri ndërkombëtar.
Në trajnimin dy ditor që u mbajt që fundmi mbi ndjekjen e progresit në implementimin e nënkaptinave të kaptinës 27 – Mjedisi jetësor dhe klima, që u mbajt nën organizimin e Qendrës për ndryshime klimatike, u përmend se pikërisht sektori i ujërave është një nga reformat më të ndërlikuara që duhet ti zbatojë Maqedonia në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
- LEXO: Manastiri dhe Tetova me padurim presin që të fillojë ndërtimi i stacioneve për pastrimin e ujërave të zeza
- LEXO: Në Tetovë do të ndërtohet staticoni i filtrimit për ujërat e zeza
- LEXO: Maqedonia e Veriut do të marrë 50 milionë euro kredi për të rregulluar ujësjelljësin dhe kanalizimin
- LEXO: Vetëm 38 përqind e ujërave të zeza pastrohen në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Dy vite vonohet ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, Vardari mbetet i ndotur