BE dhe Ukraina: Rrugë e shpejtë pa anëtarësim të shpejtë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Malinka Ristevska Jordanova

Në samitin bilateral BE-ja e përsëriti mbështetjen për Ukrainën dhe po e përshpejton integrimin, por pa përgjigje konkrete për ambiciet e mëdha të Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë.

Më 3 shkurt të vitit 2023 u mbajt Samiti i 24-të BE-Ukrainë, i pari ky që nga fillimi i agresionit rus ndaj këtij vendi.

Para fillimit të Samitit presidenti dhe kryeministri i Ukrainës i përsëritën pritshmëritë për anëtarësim të shpejtë në BE – duke përmendur qëllimin e pamundur të tashmë 2 viteve. Natyrisht që ata i kanë të njohura qëndrimet e institucioneve të BE-së, por edhe betejat e mendimeve mes vendeve anëtare për shpejtësinë e integrimit të Ukrainës në Union. Nuk është sekret se problemi kryesor për liderët e BE-së është se si t’i menaxhojnë pritshmëritë e liderëve ukrainas për anëtarësimin në BE. Poashtu nuk është sekret që Polonia, por edhe treshja baltike, këmbëngulin për një “rrugë të shpejtë” për Ukrainën, ndërsa vendet themeluese – Franca, Gjermania, Italia dhe vendet e Beneluksit – paralajmërojnë se nuk duhen ngjallur shpresa të rreme se ekziston një rrugë e shkurtuar për anëtarësim.

Delegacion i fortë i BE-së i kryesuar nga kryetari i BE-së Charles Michel dhe kryetarja e Komisionit Ursula von der Leyen ishte një nga mënyrat për të treguar mbështetje. Një ditë para Samitit më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit Evropian – 15 komisionerë, mbajtën një takim me Qeverinë e Ukrainës. Rezultatet e Samitit janë sublimuar në Deklaratën e përbashkët.

Dy janë pikat kryesore: mbështetja e BE-së në luftën me Rusinë dhe perspektivat për anëtarësim në BE.

Sigurisht që në fillim u përsërit mbështetja politike, përfshirë këtu edhe masat për izolimin dhe sanksionimin e Rusisë. BE e riafirmoi ndihmën e dhënë financiare për Ukrainën dhe i përsëriti premtimet e saj. Deri më tani, Ukrainës i është dhënë ndihmë me vlerë të përgjithshme prej 50 miliardë eurosh. Mbështetja ushtarake është 3.6 miliardë euro, por bashkë me ndihmën e shteteve anëtare ajo arrin në 12 miliardë euro. Është iniciuar edhe një Mision i BE-së për ndihmë ushtarake për trajnim, fillimisht me 30.000 ushtarë. Në vitin 2023 janë planifikuar 18 miliardë euro mbështetje makrofinanciare. Ndihma humanitare është gjithëpërfshirëse dhe përfshin madje edhe llamba LED për familjet ukrainase.

Megjithatë, BE-ja e tregon qartë ambicien e saj për të pasur një rol udhëheqës në rindërtimin e Ukrainës. Dhe nuk e lë pa theksuar se “ndihma, rindërtimi, reformat dhe rruga evropiane e Ukrainës janë të ndërlidhura mes veti”.

Përsa i përket rrugës evropiane, ambiciet e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE për momentin vetëm po konstatohen, pa premtime konkrete. Marrëveshja e asocimit mbetet korniza bazë. Megjithatë, vetë futja e terminologjisë si “proces i anëtarësimit” në Deklaratën e përbashkët, edhe pse jo obligative për BE-në, tregon se presioni po jep rezultate.

Ajo çka BE-ja e premton mbetet në korniza të praktikës aktuale – mbështetje për “integrimin e mëtejshëm evropian të Ukrainës”, por për hapat e ardhshëm ajo do të vendosë menjëherë pasi të jenë plotësuar tërësisht të gjitha kushtet e specifikuara në mendimin e Komisionit. Të rikujtojmë se në Mendimin e përgatitur në mënyrë ekspres nga Komisioni janë numëruar shtatë kushte. Të gjitha janë nga fusha e demokracisë dhe e qeverisjes së të drejtës.

Në vlerësimin për plotësimin e deritanishëm të kushteve Komisioni tregohet i moderuar dhe i njeh “përpjekjet domethënëse”. Qeveria ukrainase u mundua të tregojë rezultate konkrete – sidomos në luftën kundër korrupsionit, kështu që disa ditë para Samitit kreu një sërë arrestimesh. Në mesin e të arrestuarve janë miliarderi Kollomski, ish-mbështetës i Zelenskit, si dhe ish-ministri i punëve të brendshme. U shkarkuan drejtuesit e administratës tatimore, disa zëvendësministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Një vlerësim më gjithëpërfshirës i reformave të Ukrainës do të jepet në paketën e vjeshtës të raporteve mbi zgjerimin, por premtohet edhe një – raport i jashtëzakonshëm – në pranverë. Dhe kjo duhet të jetë shenjë e angazhimit dhe inkurajimit shtesë nga institucionet evropiane.

Megjithatë, ajo që do të jetë vendimtare për anëtarësimin e Ukrainës në BE, e që nuk është shkruar zyrtarisht në kushtet për “progres të mëtejshëm”, është fakti se kjo nuk do të jetë e mundur përderisa zgjat lufta dhe pasojat e saj të drejtpërdrejta. Problemi i dytë kyç është kapaciteti absorbues i Bashkimit – si ekonomik ashtu edhe politik.

Në mungesë të një përgjigjeje për ambiciet e mëdha për anëtarësim, përveç ndihmës së madhe, BE-ja me shpejtësi po i ofron Ukrainës mundësi për integrim faktik, si pjesëmarrje në programet e BE-së, binjakëzim të qyteteve të Ukrainës me ato evropiane, madje edhe përshpejtim të heqjes së roaming-ut me BE-në – proces ky që për numrin shumë më të vogël të qytetarëve të Ballkanit po zgjat shumë vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button