ANALIZË: Inflacion më i madh dhe presion i çmimeve në RMV edhe në vitin 2023! (Infografik)

Presioni i çmimeve do të vazhdojë edhe këtë vit. Për sa i përket vlerësimeve të qeverisë, analistët ekonomikë parashikojnë inflacion më të lartë. Pasiguria e vazhdueshme për shkak të luftës në Ukrainë edhe këtë vit do të rezultojë me nivele të larta të çmimeve të produkteve primare dhe të energjisë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çmimet e naftës, metaleve, lëndëve të para…

Inflacioni i jashtëm është në rritje, presion më i lartë i çmimeve pritet në të gjithë partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit, veçanërisht në Gjermani, Bullgari dhe Poloni. Inflacioni i importuar, që do të thotë produkte dhe , në përgjithësi, lëndë të para dhe materiale për punë më të shtrenjta, do të ushtrojë presion edhe mbi inflacionin e brendshëm. Banka Kombëtare i publikoi parashikimet e para për lëvizjet e çmimeve në vitin e ri 2023.

Te çmimi i naftës, i shprehur në euro, për këtë vit projeksionet janë rishikuar me rritje.

“Lëvizjet e këtilla janë kryesisht rezultat i embargos ndaj naftës ruse nga BE-ja duke filluar nga dhjetori i këtij viti dhe i kufizimit të çmimit për transportin detar të naftës ruse, si dhe i pritshmërive të investitorëve për një reduktim më të madh të prodhimit të naftës nga OPEC-u” – thonë nga BPM-ja me një vlerësim se në vitin 2024 pritet rënie e çmimit.

Edhe pse në fund të vitit 2022 u vu re një rënie në çmimet e metaleve, sipas parashikimeve, edhe këto çmime do të rriten këtë vit.

“Për vitin 2023 korrigjimet janë më të mëdha, me ç’rast pritet rritje në vend të rënies së çmimit të nikelit, dhe një rënie më e vogël e çmimit të bakrit. Lëvizjet e tilla të çmimeve të metaleve janë kryesisht rezultat i pritshmërive të investitorëve se Kina do të braktisë politikën e zero-Kovid, që do të reflektohej në rritje të kërkesës”- thuhet në vlerësimet e reja të BPM-së.

Te çmimet e drithit dhe grurit vlerësimet fillestare janë në drejtim të kundërt, por tani për tani ato tregojnë për një rënie të çmimeve në vitin 2023, kështu që thuhet:

“Vlerësimet e fundit flasin për rënie më të madhe të çmimit të grurit, dhe rënie më të vogël të çmimit të drithit. Korrigjimi në rënie i grurit është në pjesën më të madhe si rezultat i prodhimit rekord të lartë të grurit në Rusi”.

Lëvizjet e çmimeve të produkteve primare bazë dhe të energjisë, si dhe trendi i inflacionit në ekonomitë evropiane, veçanërisht në mesin e partnerëve tregtarë të Maqedonisë, janë vendimtare për lëvizjen e inflacionit në vend, si një ekonomi e varur nga importi.

Rritja e rrogave – faktor për presionin e çmimeve…

Inflacioni këtë vit, sipas analistëve ekonomikë, do të jetë 7,8%, që është një nivel më i lartë se parashikimi i qeverisë për inflacionin prej 7,1%.

Në anketën e re të Bankës Popullore, analistët vlerësojnë se pritjet për rritjen e inflacionit janë reflektim i shqetësimeve që lidhen me zgjatjen e luftës në Ukrainë, gjegjësisht çmimet më të larta të ushqimeve dhe të energjisë, ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit, vazhdimi i sanksioneve të imponuara dhe kufizimet tregtare.

Por, analistët paralajmërojnë se paralajmërimi për rritje të mëtejshme të rrogave mund të jetë gjithashtu një faktor rreziku për presionin e çmimeve.

“Të anketuarit besojnë gjithashtu se rikthimi i kushteve normale të punës, rikuperimi nga pandemia dhe efektet mbi konsumin, rritjet e paralajmëruara të rrogave dhe pensioneve, si dhe përkeqësimet e mundshme të furnizimit me energji dhe një rritje e çmimit të saj në tregun e rregulluar, mund të çojnë në presione të mundshme shtesë inflacioniste – vlerësojnë analistët ekonomikë me pritjen se masat e politikës monetare dhe fiskale do ta zbutin pjesërisht rritjen e çmimeve.

Viti i kaluar 2022 ishte një vit në të cilin qytetarët u përballën me çmimet historikisht më të larta. Vitin e kaluar krahasuar me vitin 2021 shpenzimet e jetesës u rritën për 14.2% ndërsa inflacioni ishte 12,6%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button