Prokuroria ende pa vendim se ku do të vazhdojë padia e Komunës së Tetovës kundër Teuta Arifit

Nuk ka vendim ende se ku do të vazhdojë dhe si procedura për padinë e ngritur nga Komuna e Tetovës kundër Teuta Arifit për kontratat në vepër të realizuara kur ajo ishte në krye të komunës. Prokuroria nuk ka vendosur ende për ankesën e Komunës së Tetovës të dorëzuar në Prokurorinë e Lartë të Shkupit pasi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK) e Maqedonisë së Veriut e hodhi poshtë padinë në fjalë me arsyetimin se nuk është kompetente për këtë rast. Kryetari i Komunës së Tetovës shprehet se përvoja e tyre me sistemin gjyqësor është dëshpëruese, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria, edhe pse e pyetur vazhdimisht për këtë padi gjatë javës së kaluar, vetëm sot njoftoi se ende nuk ka vendim se ku dhe si do të vazhdojë më tej ky rast.

Pasi të merret vendim ju do të njoftoheni”, u shprehën nga Prokuroria për Portalb.mk.

Përgjigje të njëjtë se nuk kanë marrë ende përgjigje nga Prokuroria, kishte edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai thotë se përvoja e komunës me gjyqësorin nuk është aspak e mirë.

“Ne e kemi dërguar ankesën tonë në Prokurorinë e Lartë dhe besojmë që së shpejti ata do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës tonë, do kisha dashur që këtë pyetje të ja parashtroni prokurorisë së lartë që ata të përgjigjen se a do e shqyrtojnë dhe kur do e shqyrtojnë, sepse fatkeqësisht përvoja jonë me sistemin gjyqësor është shumë dëshpëruese, që rastet janë në favor të komunës procesohen shumë ngadalë, kurse rastet që janë në dëm të komunës procesohen me shpejtësi”, tha Kasami për Portalb.mk më 29 dhjetor.

Çfarë ka ndodhur?

Pas ardhjes në krye të Komunës së Tetovës, Kasami me 8 shkurt të këtij viti publikoi listën e kontratave në vepër për vitin 2021 të paguara nga buxheti komunal me nënshkrim të ish-kryetares Arifi. Ai tha se pagesat e tilla janë joligjore dhe se kishte dorëzuar padi në prokurori për keqpërdorim të fondeve të komunës.

Disa muaj më pas, kjo padi siç deklaroi ai muajin e kaluar, u pasua me përgjigje negative.

Kasami tha se Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e ka mbajtur në sirtar padinë dhe vetëm disa javë pasi në krye të kësaj prokurorie erdhi Islam Abazi kjo u refuzua. Kasami akuzoi se kjo është bërë në baza politike dhe se “rezultati i prokurorit nga Zajazi doli”.

Sipas tij, “arsyetimi është absurd, antiligjor, se nuk janë mjete buxhetore por janë mjete të komunës, sikur mjetet e komunës nuk janë mjete të qytetarëve, për ne është vendim politik”.

Arsyetimi i Prokurorisë për rastin:

“Lënda për të cilën tregoni interesim në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike Tetovë. Pas studimit të rastit, prokurori kompetent ka dorëzuar kërkesë në Komunën e Tetovës për të vërtetuar nëse dëmi ka ndodhur në buxhetin e Komunës së Tetovës apo në buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Në bazë të përgjigjes së marrë është konstatuar se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, ku Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka kompetencë për të vepruar.

Në atë drejtim, prokurori në fjalë e ka hedhur poshtë kallëzimin penal për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, dhe atë për paragrafin 5 të nenit 353, e cila ka të bëjë me procedurën për prokurimet publike ose dëmtimin e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjetet tjera të shtetit.

Komuna e Tetovës është njoftuar se cila pjesë e kallëzimit penal është refuzuar dhe komuna si parashtrues ka të drejtë ankese në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, të cilën e ka shfrytëzuar dhe ka paraqitur ankesë.

Për pjesën tjetër të krimeve të raportuara, prokurori ka konflikt juridiksioni dhe aktualisht pritet vendimi për kthimin e lëndës në Prokurorinë Themelore Publike – Tetovë si prokurori në juridiksionin e së cilës trajtohen lëndët që kanë të bëjnë me dëmtimin e buxheti komunal”, kumtuan nga Prokuroria me 13 dhjetor për Portalb.mk.

Komuna e Tetovës u ankua ndaj këtij vendimi. Kryetari i Komunës së Tetovës, për Portalb.mk me 23 dhjetor 2022 deklaroi se shpresat i kanë te Prokuroria e Lartë e Shkupit, konkretisht te kryeprokurori i ri i sapo zgjedhur dhe se kjo prokurori nuk do të veprojë njëjtë si Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Me 23 dhjetor 2022 shefi i deritanishëm i Prokurorisë së Lartë Publike të ShkupitMustafa Hajrullahi njëzëri u ri- zgjodh në këtë detyrë për një mandat të ri katërvjeçar. Në kuadër të kësaj Prokurorie ndodhet Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mustafa Hajrullahi, Bilall Kasami, Teuta Arifi, Islam Abazi
Mustafa Hajrullahi, Bilall Kasami, Teuta Arifi, Islam Abazi

Kritika edhe nga fushat e tjera

Nga ana tjetër, Juristi Emir Kurtishi në një bisedë për Portalb.mk thotë se në esencë absurde është arsyetimi i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ku konstaton se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, por nuk ka kompetencë për të vepruar. Ndër të tjera ai theksoi se nuk mund t’i shmanget një çështjeje Prokuroria për të cilën ligji e detyron. Ndërkaq sipas tij këto raste e rritin edhe më shumë skepticizmin dhe mosbesimin e qytetarët ndaj organeve të drejtësisë. Megjithatë sipas tij kjo çështje mbetet të shihet si do përfundojë për t’i dhënë vlerësim.

Përndryshe, për këtë rast Kasami njoftoi se kanë informuar ambasadat, konkretisht atë të SHBA-ve.

Kur jemi te SHBA-të, ambasadorja e sapo emëruar në vend, Angela Aggeler kishte kritika të ashpra për zgjedhjen e Islam Abazit si shef të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndër të tjera, Uashingtoni dërgoi një ekip në Maqedoninë e Veriut për vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, funksionarëve aktualë dhe të kaluar.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ka reaguar edhe ambasadori evropian David Geer, ambasadorja gjermane Anke Holstein si dhe të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button