Është normalizuar trafiku ajror në aeroportin e Shkupit
Mëngjesin e sotëm, përkundër mjegullës, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit janë ngritur gjashtë avionë. Disa prej avionëve u ngritën me një vonesë të vogël. Aeroplani nga Stambolli që duhej të ateronte në orën 7:55 të mëngjesit të sotëm, pritet të arrijë me një orë vonesë, siç njoftohet në faqen e internetit të aeroportit, transmeton Portalb.mk.
Ulja e radhës në aeroport është pas orës 11:00.
Dje për shkak të mjegullës së dendur janë anuluar nëntë fluturime nga aeroporti i Shkupit, ndërsa katër janë spostuar.
Mëngjesin e sotëm ka pasur mjegull në disa rrugë të vendit. Në akset rrugore Manastir – Prilep, Ohër – Strugë, Shkup – Kumanovë, Shkup – Veles, Veles – Katllanovë, Koçan – Shtip ku dukshmëria është nga 50 deri në 100 metra, ndërsa në Tetovë – Grupçin deri në 50 metra.
Në mbrëmjen e 31 dhjetorit, të paktën tre fluturime u devijuan për në Prishtinë, kështu që të nesërmen në mëngjes avionët fluturuan prej andej për në Shkup për të marrë pasagjerë.