AMSM: Për shkak të mjegullës komunikacioni në disa rrugë është i vështirë, në Tabanoc pritet një orë për dalje nga shteti

Sindikata e Automjeteve të Maqedonisë (AMSM) informon se për shkak të paraqitjes së mjegullës zvogëlohet dukshmëria nga 50 deri në 100 metra në rrugët Manastir – Prilep – Pletvar, Kërçovë – Makedonski Brod, Shkup – Kumanovë, Shkup – Veles, Veles – Katllanovë dhe Koçan – Shtip, ndërsa në rrugën Tetovë – Grupçin dukshmëria është deri në 150 metra, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Nga aty bëjnë apel për vozitje të kujdesshme dhe përshtatje të shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës.

AMSM informoi se intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë mjediseve urbane është mesatar.

Në pikën kufitare “Tabanoc” duhet pritur rreth një orë për të dalë nga vendi, dhe rreth 40 minuta për të hyrë. Në pikën kufitare “Pelincë”, nga ana tjetër, pritja për hyrje dhe dalje nga vendi është rreth 30 minuta.

Mjegulla nga dje po vështirëson edhe qarkullimin ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Siç informuan nga TAV “Maqedoni”, kompania që menaxhon aeroportin e Shkupit, nga mbrëmë në ora 20:00 e deri në orën 9:00 për shkak të mjegullës së dendur në luginën e Shkupit, nëntë fluturime janë anuluar dhe katër janë devijuar.

Nga atje udhëtarët udhëzohen të monitorojnë situatën në faqen zyrtare (skp.airports.com.mk) në rubrikën “Fluturime” (nisje/mbërritje), ku do të shfaqen ndryshime të mundshme në orarin e fluturimeve.

Zyra për Çështje Hidrometeorologjike njoftoi se vazhdon periudha e motit të qëndrueshëm dhe kryesisht të qetë me temperatura relativisht të larta ditore. Përgjatë luginave, përfshirë edhe luginën e Shkupit, do të vazhdojë të ketë mjegull dhe vranësira të ulëta me intensitet të ndryshueshëm, sidomos në orët e natës dhe të mëngjesit, si dhe ulje të temperaturave gjatë ditës. Nesër do të fryjë erë mesatare nga drejtimi veriperëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button