Petkoviq: Vuçiq u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi se presidenti i Serbisë, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat, raporton REL. Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Pas këtyre deklaratave zyrtar [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërko që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat”, tha Petkoviq gjatë një konference për media më 28 dhjetor.

Petkoviq tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, që ishin në Beograd, do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada dhe pas orës 19:00 do të takohen me Vuçiqin, në territorin e Serbisë, ku do të kuptohet se çfarë vendimi kanë marrë serbët e veriut, sa i përket çështjes së tërheqjes nga barrikadat.

Ai tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviq.

Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Ish-policit serb, Dejan Pantiq, autoritetet në Kosovë ia ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, nën dyshimet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën disa kushte për largimin e barrikadave, sikurse lirimi i serbëve të arrestuar dhe “tërheqjen” e listave të supozuara me emrat e serbëve që do të arrestoheshin nga Policia e Kosovës.

“Kemi marrë një deklaratë të përbashkët zyrtare nga SHBA-ja dhe BE-ja në të cilën është përmbushur qartë kërkesa e dytë e serbëve, ku pjesa më e rëndësishme është të konfirmohet se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen penale të shtetasve serbë nga Kosova për pjesëmarrje. në protesta paqësore apo barrikada”, tha Petkoviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button