Të shtëna pranë patrullës së NATO-s në veriun e Kosovës
Zyrtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë thanë të dielën në mbrëmje se të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar dhe parë afër një patrulle të KFOR-it në veriun e Kosovës, ku serbët lokal kanë vendosur bllokada për të penguar policinë vendase të patrullojë zonën e përfshirë nga tensionet muajve të fundit, transmeton VOA.
Në një deklaratë të misionit thuhet se nuk pati dëme në njerëz e as dëme materiale nga të shtënat që u dëgjuan në rajonin e Zubin Potokut. KFOR-i nuk dha hollësi të tjera.
Më herët policia e Kosovës mohoi njoftimet e publikuara në mediet serbe sipas të cila ka pasur shkëmbime zjarri në Zubin Potok, pasi policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë.
“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi”, tha ndërkaq në një njoftim policia e Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në llogarinë e tij në Facebook se “lojërat e (presidentit serb Aleksandar) Vuçiç dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ministri Sveçla duke nënvizuar se “barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.
Në Beograd ndërkaq shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç, tha se është takuar me presidentin serb dhe është nisur për në Rashkë, një komunë në jugperëndim të Serbisë, jo larg kufirit me Kosovën.
Ndonëse nuk bëri ndonjë koment rreth shkrimeve të medieve serbe për zhvillimet ne veriun e Kosovës, ai i tha televizionit pro qeveritar serb Pink se “situata në Kosovë është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe përgjatë vijës administrative”.
Grupe serbësh po mbajnë të bllokuara rrugët në veriun e Kosovës që nga dhjetë dhjetori pas arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sul ndaj personave zyrtarë.
Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it, heqjen e bllokadave, ndërsa misioni i drejtuar nga NATO-ja tha se preferon që kjo të ndodhë në rrugë paqësore.