Zelensky paralajmëroi ukrainasit për sulme të mundshme nga Rusia gjatë festave

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për sulme të mundshme ruse gjatë sezonit të festave. Ai u bëri thirrje ukrainasve që të jenë vigjilentë ditët në vijim, transmeton Portalb.mk nga Radio Evropa e Lirë.

“Me afrimin e sezonit të festave, terroristët rusë mund të aktivizohen përsëri”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm.

Presidenti u takua me udhëheqësit ushtarakë ukrainas më 23 dhjetor, pasi u kthye në Kiev nga Uashingtoni, ku tha se ushtria po përgatitet për muajt e ardhshëm dhe vitin e ardhshëm.

“Detyrat tona mbesin të pandryshuara. Ky është çlirimi i tokës sonë, është siguria për popullin tonë, rindërtimi i vendit tonë pas sulmeve ruse. Këto janë komponentët e fitores së Ukrainës, që ne po u ofrohemi hap pas hapi”, tha ai.

Vizita e Zelenskyt në SHBA më 21 dhjetor ishte e para pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt. Ai tha se ndihma e SHBA-së për Ukrainën është vendimtare.

Në Shtëpinë e Bardhë, ai zhvilloi një takim me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, me të cilin diskutoi ndihmën dhe rrjedhën e luftës. Ai, po ashtu, zhvilloi bisedime me udhëheqësit e Kongresit nga të dyja partitë.

Biden shpalli një paketë të re ndihme për Ukrainën – në vlerë prej 1.85 miliard dollarësh – e cila përfshin edhe një bateri të sistemit mbrojtës raketor, Patriot.

Zelensky tha se sistemi Patriot është pjesa më e fuqishme e paketës së re.

Megjithatë, ky sistem nuk do të pozicionohet menjëherë, sepse trupat amerikane fillimisht duhet t’i trajnojnë forcat ukrainase se si ta përdorin dhe mirëmbajnë atë.

Patrioti konsiderohet si një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore amerikane dhe ofron mbrojtje kundër avionëve, raketave lundruese dhe atyre balistike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button