Tetova në vitin 2023 do të ketë këshill për parandalim të delikuencës te fëmijët, u zotua Kasami

Në Tetovë gjatë vitit 2023 do të formohet këshilli komunal për delikuencën te fëmijët, i cili njëherit është edhe obligim ligjor për komunat në vend. Kryetari i Komunës së Tetovës, gjatë debatit publik për propozim-buxhetin e komunës për vitin 2023 u zotua se do e përmbush një obligim të tillë, themelimin e të cilit e prezantoi profesoresha universitare Blerta Ahmedi, shkruan Portalb.mk.

Në cilësinë e qytetares, profesoresha Blerta Ahmedi e specializuar në fushën e delikuencës së të miturve, i propozoi Komunës së Tetovës që të themelojë Këshillin Komunal për Parandalim të delikuencës te fëmijët, pasi i njëjti është obligim ligjor dhe në rast të mospërmbushjes së tij parashihen gjoba.

“Dua të thirrem në dispozitat ligjore ku dua ta propozoj këtë iniciativë që Komuna e Tetovës të parasheh buxhet për formim të një këshilli të tillë në Komunën e Tetovës. Konkretisht neni 158 i Ligjit të drejtësisë për fëmijët, i obligon kryetarët e komunave që të propozojnë këshillit të komunës, i cili ka për obligim të emërojë këshill komunal për parandalim të delikuencës së fëmijëve.  Ndryshimet ligjore parashohin edhe sanksion kundërvajtës për kryetarët që nuk e përmbushin këtë obligim, gjobë nga 300 deri 500 euro kryetarëve të komunave i cili nuk përmbush këtë obligim. Besoj se do të kontribuonte shumë në uljen e kriminalitetit ose akteve devijante te të rinjtë në Komunën e Tetovës, mendoj se është në interes të qytetit që të kemi një këshill të tillë që të jetë nën kontroll fëmijët”, tha Ahmedi.

Blerta Ahmedi, foto: Komuna e Tetovës

Ajo mes tjerash sqaroi se ky obligim ligjor parashihet që nga viti 2013.

“Konkretisht ligji i drejtësisë për fëmijët i cili është ligj pozitiv në RMV, i cili është në fuqi që nga viti 2013 parasheh obligim ligjor për të gjitha komunat në shtetin tonë që të kenë në formuara dhe funksionale të njëjtat këshille komunale për parandalim të delikuencës te fëmijët. Kjo deri tani nuk është respektuar nga shumica e komunave të vendit.  Në raportin e fundit të këshillit shtetëror për parandalim të delikuencës së fëmijëve, që është organ i pavarur në nivel nacional dhe me seli në Ministri të Drejtësisë., është raportuar se në vitin 2020 vetëm 18 komuna në vend e kanë respektuar këtë obligim ligjor”, sqaroi Ahmedi duke theksuar se komunat arsyetohen se u mungojnë mjetet buxhetore.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, u zotua se do të përbush këtë obligim.

“Deri tani një propozim të tillë nga administrata e komunës nuk kam pasur, edhe pse e përmendi profesoresha se është obligim ligjor. Në këtë drejtim, marr obligim që e njëjta të futet në program për vitin 2023 dhe të shohim mundësinë e rialokimit të mjeteve nga buxheti së paku për themelimin e të njëjtit, dhe pastaj të shohim mundësinë e financimit të një programe më reale që të ngremë një institucion kaq të rëndësishëm. Sigurisht ajo pjesë formale do të vijë në debatin për buxhetin”, tha Kasami.

Bilall Kasami, foto: Komuna e Tetovës

Kujtojmë që numri i nxënësve që në shkollat e mesme të Tetovës përdorin lëndë narkotike shënon rritje. Vetëm në një aksion policor së fundmi u kapën tre nxënës me lëndë të tilla. Nga policia e Tetovës se gjatë gjithë vitit janë kapur dhjetëra nxënës me lëndë narkotike.

Përndryshe, sot në Komunën e Tetovës kishte debat publik ku qytetarët shpalosën propozimet e tyre për buxhetin e komunës për vitin 2023, mes të cilave ishte e edhe ky propozim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button