RMV, të rinjtë shprehin interes për t’i zhvilluar komunat ku ato jetojnë

Shoqata ekologjike “Go Green” edhe këtë vit arriti të zgjojë interesim tek më shumë se 400 të rinj të cilët dhanë idetë dhe sugjerimet e tyre për komuna të gjelbra. Të rinjtë janë të interesuar që të përfshihen në zhvillimin e komunave ku ata jetojnë, ndërsa pushteti lokal ka për detyrim që t’u mundësojë hapësirë ​​për t’u shprehur dhe mjete financiare për realizimin e kërkesave të të rinjve, thonë nga “Go Green”, shkruan Meta.mk.

Në shtator dhe tetor të këtij viti u realizua pyetësori Propozimi Im për komunë të gjelbër, i cili përfshiu katër komuna në vendin tonë – Aerodromin, Kisella Vodën, Çairin dhe Kumanovën. Përmes tij, mbi 400 të rinj dhanë propozime dhe zgjidhje konkrete për zhvillim të gjelbër të komunave të tyre.

Pas grumbullimit të kërkesave të të rinjve, vetë të rinjtë bënë selektimin e propozimeve dhe zgjidhjeve të dorëzuara.

“Së pari të rinjtë kanë bërë selektimin kërkesave a janë të përgjithshme apo konkrete, me konkrete mendoj për ato që të selektohet dhe të tregohet vendi ku duhet të bëhen ato ndryshime, diçka të kërkojnë prej kryetarëve të komunave në përgjithësi. Më pas, së bashku me kryetarët e komunave zgjodhëm ato të cilat janë në kompetenca të komunës, ku për secilën komunë kemi zgjedhur nga dhjetë kërkesa të cilat u dorëzuan direkt kryetarëve të komunave që do të realizohen në vitin e ardhshëm 2023“, thotë për Portalb.mk Arta Qerimi, asistente programore në “Go Green”.

Kryetarja e shoqatës “Go Green”, Milla Jovanovska, për Meta.mk sqaron se me këto katër komuna do të punojnë deri në fund të mandatit të kryetarëve të tyre.

“Kjo nënkupton takime të rregullta me kabinetin e kryetarit, nëpunësit rinorë nga komuna, këshillin rinor lokal si dhe persona të tjerë me interes. Me ta diskutojmë për kërkesat e vitit të kaluar, por dhe për ato të këtij viti, që t’i vendosim bashkë në agjendën e komunës dhe të jenë pjesë e planeve aktuale”, tha Jovanovska.

Ajo shtoi se konceptin me të cilin selektohen kërkesat e të rinjve për komuna të gjelbra duan ta zgjerojnë edhe në komunat e tjera anembanë vendit, pra të fillojnë të ndikojnë edhe tek të rinjtë edhe tek komunat që të punojnë bashkërisht për zgjidhje të gjelbra në komuna.

“Paralelisht ne e përforcojmë pjesëmarrjen qytetare tek të rinjtë, gjegjësisht i mësojmë ata se si funksionojnë institucionet dhe cilat janë mënyrat në të cilat mund të përfshihen në punën e komunës. Nga ana tjetër i mësojmë “pleqtë” në komuna se duhet t’i dëgjojnë të rinjtë”, thotë kryetarja e “Go Green”.

Ajo thekson se procesi që ata e udhëheqin tashmë është bërë i njohur dhe janë të kënaqur me këtë, veçanërisht për arsyen se për të morën çmimin për pjesëmarrje rinore 2022 nga Agjencia për Rini dhe Sport dhe Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë që është nën patronatin e presidentit Stevo Pendarovski.

Milla Jovanovska thotë se në komuna ka shumë hapësirë ​​për përmirësim, sidomos tek ato që ende nuk kanë themeluar këshill rinor lokal. Kur këshilli të jetë aktiv, atëherë organizatat e shoqërisë civile duhet të tërhiqen dhe të rinjtë të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me këshillin rinor lokal për zbatimin e çështjeve të gjelbra në komunë.

Angella Zimbakova nga Komuna Aerodrom është një nga të aktivistet e reja të cilat vendosën të  dorëzojnë kërkesat e tyre për komunë të gjelbër, kërkesë e cila kaloi në fazën finale të selektimit. Ajo kërkon që  në bashkëpunim me shkollat në Aerodrom të mbahen eko-punëtori për ndryshimet klimatike, ekoaktivizëm dhe për mbeturinat, e që janë të nevojshme për t’i edukuar të rinjtë më shumë për këta tema dhe për të krijuar vertëdijësim se në çfarë mjedisi jetojnë.

„Ndryshimet klimatike nuk janë një temë që është e përfshirë aq sa duhet në përmbajtjet e programeve arsimore dhe pikërisht kjo më motivoi që ta shkruaj kërkesën. Mendoj se nëse të rinjve këto tema ju prezantohen në një mënyrë kreative, do nxisim të paktën pak vetëdijësim për mjedisin e tyre dhe për të gjitha ato shprehi që duhet t’i kemi dhe t’i zbatojmë” thotë Angella Zimbakova për Meta.mk.

Aktivistja e re beson në realizimin e projekteve të gjelbra për faktin se ka interesim nga komuna, ndërkohë që realizimi i këtyre kërkesave është në favor të çdo individi.

Faton Qerimi nga Komuna e Çairit është një tjetër i ri i cili ka dorëzuar kërkesën e tij për zhvillimin e gjelbër të komunës së tij. Fatoni kërkon shteg biçikletash në Fushë Topanë, por edhe nëpër rrugët e tjera të komunës që janë shtigje të pashmangshme ku lëvizin qytetarët. Për Portalb.mk ai thotë se Shkupi po shënon një rritje të madhe, vazhdimisht ndërtohet dhe trafiku po bëhet i tmerrshëm.

“Mua më paraqitet nevoja çdo ditë që të përdori biçikletë ose skuterë elektrik, të cilat do të duhej që të më mundësojnë transport të shpejtë nga një pikë në një pikë tjetër brenda qytetit, dhe sigurisht kjo duhet zhvillohet në mënyrë të sigurt”, sqaron Faton Qerimi për arsyen për të cilën ka vendosur ta propozojë këtë projekt të gjelbër.

Kërkesat për Çairin
Kërkesat për Çairin

Fatoni shton se komunat si institucione kanë punonjës që përballen me të njëjtat probleme si edhe vetë banorët. Edhe ata janë më të vetëdijësuar se këto shtigje janë qenësore për një qytet që është lehtë i qasshëm për qytetarët.

“Edhe pse disa rrugë janë nën kompetenca dhe përgjegjësi të qytetit, në komunë ka rrugë që nuk janë dhe pres që ky synim i komunës të realizohet në pjesën tjetër të rrugëve më të frekuentuara të strukturës së dendur të qytetit”, e sqaron kështu kërkesën të cilën pret që Komuna e Çairit ta realizojë gjatë vitit 20203 Faton Qerimi.

Cilat janë kërkesat riniore në të katër komunat?

Në komunën e Aerodromit janë dorëzuar 11 kërkesa nga të rinjtë për një komunë të gjelbër, në mesin e të cilave ka kërkesa për parqe të reja në Aerodromin e Vjetër dhe tek PSS dhe eko-punëtori në shkolla për ndryshimet klimatike, eko-aktivizmin dhe mbeturinat.

Në Komunën e Çairit ka 12 kërkesa nga të rinjtë për një komunë të gjelbër, disa nga të cilat janë për shtigje për biçikleta në lagjen Fushë Topanë, kopshte urbane në shkolla dhe mbjellje të pemëve me emrat e fëmijëve nga lagje të ndryshme.

Në Kisella Voda të rinjtë nga komuna kanë nëntë kërkesa që do duhej të realizohen vitin e ardhshëm. Disa prej tyre janë për ndërtimin e një impianti komunal për kompostimin e mbeturinave organike nga gjethet dhe një park në Përzhinë.

Të rinjtë nga Kumanova dërguan dhjetë kërkesa në komunë, ndërsa në mesin e tyre është kërkesa për subvencione për riparimin e biçikletave dhe për aksionin – nga një fidan për çdo amvisëri në qytet.

Përndryshe, projekti i sivjetshëm i “Go Green” me katër komunat e përzgjedhura vjen pas atij të vitit të kaluar para zgjedhjeve lokale, kur të rinjtë nga gjashtë komuna në vend i zgjodhën projektet e gjelbra të cilat kërkuan që të realizohen nga kryetarët e ardhshëm. Kjo do të thotë se “Go Green” për herë të dytë organizon aktivizim të të rinjve për zhvillim të gjelbër të komunave në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button