Afganistani nisi fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit
Afganistani ka nisur më 19 dhjetor një fushatë në shkallë të gjerë të vaksinimit, që ka për synim të mbrojë 7 milionë fëmijë nga poliomieliti, raporton REL. Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga talibanët, tha se fushata do të zhvillohet në 26 nga 34 provincat e vendit dhe do të zgjasë katër ditë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në tetor të këtij viti, janë regjistruar dy raste të një varianti të ashpër të poliovirusit.
Personat që kryejnë fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh përballen me vështirësi, për shkak të teorive konspirative se vaksinimi kundër poliomielitit shkakton infertilitet apo se vaksinuesit janë spiunë.
Në shumë incidente, vaksinuesit janë sulmuar nga ekstremistët. Para se të merrnin pushtetin vitin e kaluar, talibanët kishin ndaluar vaksinimet derë më herë në zonat që kontrollonin.
Por, Kombet e Bashkuara arritën me sukses të bindnin talibanët që të rinisnin programin e vaksinimit në mbarë vendin.
Poliomieliti është sëmundje ngjitëse dhe mund të shkaktojë paralizë dhe vdekje.