RMV, po tkurret tregu i ofruesve të shërbimeve postare, tetë kompani pushuan së funksionuari këtë vit
Reduktimi i aktivitetit ekonomik të ekonomisë në tërësi, si dhe rritja e kostove të energjisë që ndikojnë në çmimet e shërbimeve postare, janë arsyet e rënies së kërkesës për shërbime të paketave dhe letrave, për shkak të së cilës tetë ofrues të licencuar të shërbimeve postare kanë pushuar së funksionuari në tregun postar që nga fillimi i vitit, transmeton Portalb.mk.
Parashikimet e rregullatorit janë se në fillim të vitit të ardhshëm do të pushojnë së funksionuari edhe disa të tjera.
Në periudhën janar-dhjetor të këtij viti, një numër në rritje i ofruesve të licencuar të shërbimeve postare të cilët kanë ndërprerë punën gjatë kësaj periudhe, përkatësisht gjithsej tetë, informojnë për MIA-në nga Agjencia e Postave (AP), në ueb faqen e së cilës ka njoftime të shpeshta në periudhën e kaluar që operatorë të caktuar nuk janë më ofrues të shërbimeve.
“Duke ditur gjendjen e tregut, nga ky këndvështrim, mund të parashikojmë që në fillim të vitit 2023 do të pushojnë së punuari edhe disa ofrues të tjerë të shërbimeve postare, të cilët tashmë kanë shënuar ulje të aktivitetit në periudhën e kaluar, sipas raporteve për ofrimin e shërbimet postare, të cilat e kanë obligim ligjor t’ia dorëzojnë Agjencisë”, thotë drejtoresha e AP-së, Biljana Avramovska-Gjorevska për MIA-në.
Analiza e Agjencisë ka treguar, thekson Avramovska-Gjorevska, se konkurrenca ekzistuese në sektorin postar përballet me rrezik real të rënies së vëllimit këtë vit për shkak të zvogëlimit të aktivitetit ekonomik të ekonomisë në përgjithësi, si dhe për shkak të rritjes së kostove të energjisë në strukturën e çmimeve të shërbimeve postare.
“Dhe nisur nga këtu, është mjaft e kuptueshme që ka gjithashtu kërkesë të reduktuar për shërbime të paketave dhe letrave,” thotë ajo.
Kjo, sipas drejtoreshës së AP-së, prek para së gjithash mikro-kompanitë e sektorit postar, të cilat kanë kapacitete të kufizuara për të luftuar në treg për shkak të investimeve minimale në rrjetet e tyre.
“Në kushtet e një konkurrence jashtëzakonisht të lartë, kërkesat dhe nevojat e përdoruesve të shërbimeve postare janë më komplekse dhe shërbimi i tyre kërkon një proces të integruar dhe të standardizuar të manipulimit të dërgesave postare, si dhe përmirësimin e standardeve dhe harmonizimin e proceseve të biznesit me epokën digjitale. Për shkak të kësaj dhe për fat të keq shpeshherë dështojnë”, thotë Avramovska-Gjorevska.
Procedura për dhënien e autorizimit të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve postare mbetet e njëjtë dhe është e rregulluar me Ligjin për shërbimet postare, Rregulloren për përmbajtjen dhe formën e njoftimit dhe dokumentacionin e nevojshëm që dorëzohet me njoftimin dhe Rregulloren për elementet e detyrueshme të kushteve të përgjithshme për ofrimin e shërbimeve postare.
“Nëse ka nevojë për përmirësimin e masave dhe praktikave rregullatore në përputhje me tendencat e reja të tregut, që po ndjekim, sigurisht që mund të presim një ndryshim në rregullore”, thotë drejtoresha e AP-së.
Situata me ofruesit e licencuar të shërbimeve postare nga mesi i këtij muaji tregon se në tregun postar operojnë 37 kompani me autorizim të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve postare, gjegjësisht gjithsej 38 së bashku me Sh.A. Posta e Maqedonisë së Veriut – Shkup si mbajtës i licencës individuale për ofrimin e shërbimit universal. Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, numri i tyre ishte 44, ndërsa 46 në fund të të njëjtit tremujor të vitit të kaluar.
Në fund të tetorit të këtij viti, u rikthye sërish monopoli i çmimeve për shërbimet e letrave deri në 50 gramë në favor të ofruesit të shërbimeve universale SH.A. Posta e Maqedonisë së Veriut, e cila për shërbimin ka çmim të rregulluar prej 25 denarë për letër, miratuar nga rregullatori. Ofruesit e licencuar të shërbimeve postare për të njëjtin shërbim postar nga 26 tetori nuk mund të ngarkojnë çmim për njësi më të ulët se 62,5 denarë, sipas çmimeve në fuqi nga 1 mars 2020.
Në muajin tetor u mbajt një protestë paralajmëruese në “Postën” nacionale për shkak të vonesës së pagesës së pagës për muajin e kaluar, dhe pas marrëveshjes së arritur nga sindikatat me Bordin Drejtues të kompanisë dhe Ministrinë e transportit dhe lidhjeve, të gjitha institucionet shtetërore janë udhëzuar që të përdorin shërbimet e Sh.A. “Posta”, konform ndryshimeve në Ligjin për Shërbimet Postare. Një marrëveshje të tillë SHA “Posta” deri më tani ka nënshkruar vetëm me SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV).
Në tremujorin e tretë të këtij viti, në Agjencinë postare janë dorëzuar nëntë ankesa nga përdoruesit e shërbimeve postare. Pesë janë nga persona fizikë dhe katër nga persona juridikë. Shtatë peticione i referohen shërbimeve të ofruesve të shërbimeve postare dhe dy për shërbimet e SHA Posta.