Kovaçevski dhe Pendarovski zhvilluan bisedë telefonike me këshilltarin amerikan Chollet
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Presidenti Stevo Pendarovski dje kanë zhvilluar bisedë telefonike me Derek Chollet, këshilltar i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Në në bisedën e zhvilluar me kryeministrin, pjesmarrës ishin edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, informuan Qeveria, transmeton Portalb.mk.
“Biseda u fokusua në partneritetin strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e ardhshme që kemi në drejtim të arritjes së qëllimeve tona strategjike. U diskutuan disa tema, si për trajtimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë, por edhe për projektet infrastrukturore dhe energjetike për të cilat Maqedonia e Veriut do të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara. Ndër të tjera, temë e bisedës ishte zhvillimi i Maqedonisë së Veriut në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe promovimit të sundimit të ligjit”, njoftoi Qeveria.
Gjatë bisedës, shtuan ata, u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për rrjedhën e procesit të skriningut, si dhe u diskutua për integrimin e përshpejtuar evropian të vendit si synim prioritar strategjik i Maqedonisë së Veriut, me fokus në proceset reformuese që po zhvillohen si rezultat i së njëjtës.
Chollet në bisedën me presidentin Pendarovski ndërkohë, kanë diskutuar për proceset integruese evropiane të vendit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe situatën në rajon.
Këshilltari i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Cholet, ishte dashur të vinte dje në Shkup, siç ishte paralajmëruar fillimisht nga Departamenti i Shtetit, por për shkak të testit pozitiv për Covid, ai e shtyu vizitën për pas Vitit të Ri.
Cholet në Maqedoni do të duhej të diskutonte një sërë çështjesh me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Përveç Maqedonisë së Veriut, programi i Choletit përfshinte vizita në Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë. Qëllimi i vizitave, siç informohet nga Departamenti i Shtetit, është të theksohet përkushtimi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.