Chollet anuloi vizitën në Shkup pasi doli pozitiv me COVID-19

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në moment të fundit për në Maqedoninë e Veriut, e cila ishte caktuar për të mërkurën, pasi doli pozitiv me Covid – 19, transmeton Portalb.mk.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Chollet publikoi se është pozitiv me korona virus dhe për këtë, vizita e tij në vendet e Ballkanit do të prolongohet për në fillim të vitit 2023.

“Më vjen keq që më duhet ta prolongojë udhëtimin tim në Ballkan dhe Bruksel për shkak të testit pozitiv për kovid. Do të mbetem i angazhuar për të gjitha çështjet në rajonin e Ballkanit dhe me padurim pres të realizojë udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, sot nga ambasada e SHBA-së në Shkup kumtuan se, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në vend se të mërkurën siç ishte paralajmëruar, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut pas Vitit të Ri, duke mos e theksuar arsyen për prolongimin e vizitës.

Sipas paralajmërimit fillestar të DASH-it, Chollet në Shkup duhej të bisedojë me përfaqësueti qeveritar për një sërë çështjes, përfshirë edhe për energjetikën, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Së bashku me Cholletin, në Shkup pritej të udhëtojë edhe zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror në DASH dhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili prej mbrëmë është në Kosovë.

Escobar sot është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe me kryeministrin, Albin Kurti, ndërsa për nesër parashihen takime me liderët e partive politike.

Sipas paralajmërimeve, nga Prishtina, Escobar do të udhëtojë në Beograd, në takime me kreun e atjeshëm shtetëror, në lidhje me krizën më të re të shkaktuar në veriun e Kosovë, ku serbë lokal kanë vendosur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, “Jarinjë” dhe “Bërnjak”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button