Policia e RMV-së arrestoi 11 personat e grupit kriminal të dyshuar për përvetësimin e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore
Në 27 lokacione është kryer bastisje nga Policia e Maqedonisë së Veriut për asgjësimin e grupit kriminal të përfshirë në kryerjen e veprës penale kundër trashëgimisë kulturore dhe bukurive të rralla natyrore, transmeton Portalb.mk.
“Aksion policor të koordinuar gjatë të cilit është asgjësuar grup kriminal 12-të anëtarësh, i cili një kohë më të gjatë në rajonet dhe rrethinën e Prilepit, Strumicës, Probishtipit, Negotinës, Kumanovës, Sveti Nikollës, Kavadarit dhe Koçanës, ka qenë i përfshirë në vepra penale kundër trashëgimisë kulturore dhe bukurive të rralla natyrore”, raportoi Policia.
Policia raportoi që bastisje janë kryer te 23 persona, ku janë gjetur figura arkeologjike, gjëra metalike, detektorë, armë, drogë, peshore dhe gjëra tjera natyrore. Në bastisje janë arrestuar 11 persona, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Policia ka paraqitur kallëzim penal ndaj tyre për “dëmtim ose shkatërrim të të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimi kulturore dhe bukuri të rralla natyrore”, “transferim jashtë shtetit e të mirave nën mbrojtjen të përkohshme ose të trashëgimisë kulturore dhe të bukurive të rralla natyrore”, “përpunim të palejuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti me armë ose materie shpërthyese” dhe “bashkim kriminal”.