Gjermania përgatitet të vendosë sistemet antiraketë “Patriot” në Poloni

Bundeswehr (Forcat e Armatosura të Gjermanisë) po fillon përgatitjet për vendosjen e sistemeve antiraketë Patriot të prodhuara nga SHBA në Poloni, transmeton Portalb.mk nga Euractiv.

Berlini i ofroi Polonisë vendosjen e Patriotëve pas shpërthimit të raketës muajin e kaluar në Przewodów pranë kufirit me Ukrainën, për të cilin hetimet e hershme treguan se ishte një aksident i shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase. Megjithatë, çështja ngeci për ca kohë pasi Varshava këmbënguli që Gjermania t’i dërgonte sistemet në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Ushtria gjermane do të fillojë përgatitjet për vendosjen e një sistemi antiraketë Patriot tokë-ajër në Poloni në ditët në vijim, thanë burimet e sigurisë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

Për më tepër, një ekip zbulimi do të udhëtojë në Poloni me qëllim të inspektimit të pozicioneve të përshtatshme për sistemin e mbrojtjes kundërajrore.

Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Błaszczak akuzoi së fundmi palën gjermane për thyerjen e konfidencialitetit të negociatave për Patriotët.

“Polonia kërkoi konfidencialitet, por gjermanët e thyen atë. Mund ta konfirmoj, por provat janë publikuar edhe nga mediat gjermane”, tha ai.

Duke përmendur median gjermane, Błaszczak me sa duket ka nënkuptuar Bild-in, i cili fajësoi Lambrecht-in për zbulimin e detajeve të negociatave konfidenciale në Poloni me qëllim të vetëpromovimit.

Sipas afatit kohor të ngjarjeve të gjurmuara nga gazeta gjermane, kur mori ofertën, pala polake shprehu interes për të, por “kërkuar” dhe “rekomanduar” konfidencialitetin e informacionit deri në arritjen e marrëveshjes. Lambrecht, megjithatë, i tha Rheinische Post për ofertën për Poloninë më 21 nëntor.

“Ishte joprofesionale. Ju nuk mund t’i trajtoni kështu aleatët tuaj të NATO-s. Është keq për Gjermaninë dhe Bundeswehr-in,” komentoi një oficer ushtarak gjerman.

“Lambrecht u përball gjithashtu me kritika brenda qeverisë gjermane. Gjermania duhet të kujtojë respektin në komunikimin me partnerët e NATO-s si Polonia. Përndryshe, bashkëpunimi i bazuar në besim mund të prishet lehtësisht”, tha Markus Faber i FDP.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button