Polonia sekuestroi ndërtesën e një shkolle ruse në Varshavë

Autoritetet polake thanë të shtunën se kanë sekuestruar një ndërtesë të shkollës së mesme pranë ambasadës së Moskës në Varshavë, e destinuar për fëmijët e diplomatëve.

Ky veprim u quajt i paligjshëm nga përfaqësuesit e Rusisë në Poloni, transmeton REL.

Të shtunën u bë e ditur se Rusia do të bëjë një protestë zyrtare diplomatike lidhur me këtë veprim.

Përleshja për ndërtesën shumëkatëshe të viteve 70’, e quajtur “foleja e spiunëve” nga qytetarët e Varshavës, vazhdon tash e një vit.

“Kjo ndërtesë i përket bashkisë së Varshavës,” i tha AFP-së zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Lukasz Jasina.

Polonia thotë se ka një pabarazi të madhe në numrin e ndërtesave diplomatike që shtetet kishin te njëra-tjetra.

“Ky është një akt i paligjshëm. Një ndërhyrje në një objekt diplomatik,” tha i dërguari i Moskës, Sergei Andreyev, për agjencinë e lajmeve RIA Novosti.

Andrejev tha se kjo ishte një “shkelje e konventës së marrëdhënieve diplomatike të Vjenës”.

“Ne e konsiderojmë shkollën nga ambasada si pjesë e misionit tonë diplomatik”, tha ai, duke thënë se mësuesit dhe stafi jetojnë në territorin e asaj ndërtese.

Andreyev tha se shkolla do të vazhdojë të punojë në një pjesë të ndryshme të ambienteve të ambasadës ruse.

“Prioriteti ynë është të garantojmë sigurinë dhe interesat e punonjësve tanë dhe familjeve të tyre”, tha ai.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022 dhe është përballur me sanksione të ashpra nga vendet perëndimore pas kësaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button