Brenda Mbretërisë së vetëshpallur të Gjermanisë, shakaja që po merret seriozisht

Në zonat rurale të Gjermanisë lindore ka një kufi të padukshëm. Në mes të pemëve shfaqen dritaret e një kështjelle mbresëlënëse. Në derën kryesore është vendosur një njoftim ku thuhet se vizitorët tashmë kanë hyrë një shtet të ri, raporton Klan.

Mbretëria e Gjermanisë është një shtet i vetëshpallur i pavarur dhe ka emëruar një mbret të vetin. Pjetri i Parë, siç preferon ai të quhet, ka pritur në një takim një ekip të BBC ku ka folur më shumë rreth kësaj ndodhie të pazakontë që shumë pak veta e dinin se ekzistonte.

Pjetri është kurorëzuar rreth një dekadë më parë. Për këtë ka pasur një ceremoni, me kurorë dhe me spektrin e mbretit. Aty janë hedhur edhe themelet e kësaj të ashtuquajture mbretëri, e cila prodhon paratë e veta, printon kartat e veta të identitetit dhe ka një flamur të vetin.

Pjetri konsiderohet nga agjencitë e inteligjencës si një nga 21 mijë personat që nuk njohin legjitimitetin e shtetit gjerman të pasluftës. Një pjesë e këtyre personave u arrestuan këtë javë, më saktë 25 persona, që dyshohet se do të sulmonin ndërtesën e parlamentit gjerman me qëllim rrëzimin e dhunshëm të qeverisë.

Por mbreti Pjetër thotë se nuk ka qëllime të tilla të dhunshme. Megjithatë beson se shteti sgjerman është “i shkatërruar dhe i sëmurë”.

“Nuk kam interes që të jem pjesë e një sistemi fashist dhe satanik”, u shpreh ai.

Mbreti gjerman kërkon që të hapë një kanal televiziv. Më herët, ai kishte provuar që të bëhej kryetar bashkie ose deputet, por pa sukses. Zgjidhjen e gjeti tek mbretëria.

“Njerëzit që janë të korruptuar, kriminelë ose të gatshëm për t’u përdorur, lulëzojnë në sistemin gjerman dhe ata të ndershëm, që duan të ndryshojnë botën për mirë, në interes të së mirës së përbashkët, nuk kanë shanse”, u shpreh ai.

Gjermania nuk e njeh këtë mbretëri ose dokumentet e saj. Mbreti rezulton i dënuar për drejtim makine pa patentë dhe drejtim të programit të tij personal për sigurimet shëndetësore. Ai shkoi në burg për disa vite për përvetësim të parave të qytetarëve të tij, por dënimi u rrëzua më vonë.

Shërbimi rajonal i inteligjencës, i cili e ka vëzhguar atë dhe mbretërinë e tij për gati dy vjet, tha për BBC se e konsideronin Pjetrin si një kërcënim. Ata e krahasojnë atë me një kult që i ekspozon njerëzit ndaj teorive të konspiracionit dhe ideologjisë ekstremiste.

Mbreti Pjetër ka rreth 5 mijë qytetarë. Ai po zgjeron mbretërinë duke blerë toka në Gjermani dhe aty synon të vendosë komunitete. Personat që jetojnë në këto komunitete janë krenarë për shtëpitë e tyre dhe e konsiderojnë pjesë të territorit të mbretërisë. Ata nuk paguajnë taksa gjermane dhe nuk i dërgojnë fëmijët në shkolla, diçka e paligjshme në Gjermani.

“Kjo mbretëri mund të të sigurojë çfarë duhet në jetën e përditshme”, tha Benjamin, i cili së fundmi është zhvendosur në mbretërinë e Pjetrit dhe është përgjegjës për marrëdhëniet me publikun. Aty askush nuk është vaksinuar kundër Covid-19.

Prej vitesh Mbretëria e Gjermanisë dukej si shaka, por së fundmi po merret seriozisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button