RMV, shkollat po zbrazen, ambulancat mbushen: Fëmijët sëmuren nga gripi, virusi RSV dhe infeksionet bakteriale

Sezoni i sëmundjeve respiratore tek fëmijët tashmë po merr vrull. Në një pjesë të madhe të shkollave klasat janë pothuajse përgjysmuar. Kontrollet ambulatore janë rritur ndjeshëm, por ka një numër të madh fëmijësh që duhet të hospitalizohen, shkruan Faktor, transmeton Portalb.mk.

Sipas mjekëve pediatër, diçka që shfaqet më shpesh në këtë periudhë të vitit, sidomos tek fëmijët që janë në shkolla dhe kopshte, është gripi, gjegjësisht influenca.

“Është një sëmundje akute, shumë ngjitëse e shkaktuar nga viruset e gripit, e cila dominohet nga simptoma të inflamacionit në formën e temperaturës, dhimbjes së fortë të kokës, dhimbjes së muskujve dhe kyçeve, anoreksisë, të vjellave, ndërsa simptomat respiratore si teshtitja, dhimbje fyti, kollë, shfaqen më vonë. Virusi shumohet në membranën mukoze të pjesëve të sipërme dhe të mesme të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht në trake, duke shkaktuar hiperemi dhe nekrozë të epitelit, humbje të aktivitetit ciliar. Në raste të rënda, ndodh inflamacion hemorragjik. Gjatë gjithë asaj kohe, virusi nuk kalon në gjak. Të gjitha simptomat e sëmundjes janë rezultat i inflamacionit. Toksina e virusit tregon një tropizëm ndaj substancës nervore dhe sistemit kardiovaskular, gjë që shpjegon dhimbjen e vazhdueshme të kokës dhe prirjen për hipotension dhe kolaps kardiovaskular. Për shkak të nekrozës së theksuar të mukozës, mundësohet superinfektimi me baktere, ndaj infeksioni me virusin e gripit mund të ndahet patogjenetikisht në dy faza; e para, virale primare, e cila zgjat 3-5 ditë, dhe e dyta, dytësore, bakteriale, e cila nganjëherë është e njohokëshme”, shpjegon dr.Angellço Andonovski, pediatër specialist.

Ai thotë se një kombinim i tillë i një virusi me një infeksion bakterial dhe mbi të gjitha për shkak të simptomave fillestare, në disa raste mjekët e kanë të vështirë të dyshojnë për infeksion të rrugëve të frymëmarrjes.

Pas një periudhe inkubacioni prej 1-3 ditësh (më e shkurtra është 8 orë), sëmundja fillon papritur me një temperaturë të lartë, deri në 40 gradë, e cila mban për 3-5 ditë. Temperatura shoqërohet me dhimbje koke të forta, sidomos në pjesën ballore, lëvizjet e kokërdhokut të syrit janë të dhimbshme, ndjen dhimbje në muskuj dhe kyçe, ka ndjenjë dobësie dhe ndihet “si i rrahur”. Oreksi zvogëlohet deri në anoreksi dhe pacienti vjell ose ka diarre. Për shkak të hipotensionit, ka një tendencë për kolaps. Në raste sporadike, është e vështirë të dyshohet për infeksion të rrugëve të frymëmarrjes bazuar në këto simptoma. Vetëm në ditën e dytë ose të tretë shfaqen simptoma të sistemit të frymëmarrjes në formën e teshtitjes, hundës të zëna, konjuktivitit, dhimbjes së fytit, kollës. Kolla fillimisht është e thatë, ndonjëherë e ngjirur, pasuar nga dhimbje djegëse pas sternumit për shkak të trakeitit. Te gripi i pakomplikuar temperatura zgjat 3-5 ditë, kurse sëmundja përfundon për 7-10 ditë”, thotë doktor Andonovski, duke theksuar se prindërit shpesh mund t’i ngatërrojnë simptomat me Covid 19.

Përsa i përket infeksioneve bakteriale, infeksionet streptokoke dhe stafilokokale janë gjithashtu të shpeshta dhe të vazhdueshme për shkak të kontaktit të ndërsjellë të fëmijëve në kopshte dhe shkolla. Simptomatologjia kryesisht dallohet lehtësisht pas fillimit të teshtitjes dhe dhimbjes së fytit. Nëse nuk zbulohen në kohë dhe nëse nuk trajtohen siç duhet, ekziston rreziku i komplikimeve serioze. Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht aktual është edhe virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV), një virus pak i njohur që zakonisht prek fëmijët. RSV prek fytin, hundën, mushkëritë dhe traktin respirator. Përhapet përmes pikave. Shumica e njerëzve me infeksion kanë simptoma të lehta, të cilat janë të ngjashme me ftohjen e zakonshme. Sipas Dr. Andonovski, shërimi zgjat dy javë, por virusi mund të jetë i rrezikshëm për foshnjat dhe të gjithë ata me imunitet të dobësuar.

“Në varësi të klimës, virusi shfaqet gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës. Simptomat e infeksionit mund të jenë të lehta, si ato të ftohjes së zakonshme, por disa pacientë mund të kenë simptoma më të rënda dhe të zhvillojnë bronkiolit dhe pneumoni. Një deri në dy përqind e foshnjave me RSV nën moshën gjashtë muajsh duhet të shtrohen në spital. Simptomat e hershme tek të porsalindurit dhe fëmijët janë rrjedhja e hundës, ulja e oreksit, kolla, e cila në një fazë të mëvonshme mund të kthehet në vështirësi në frymëmarrje. Foshnjat shumë të vogla mund të kenë simptoma të ndryshme nga fëmijët më të rritur dhe të rriturit. Simptomat tek foshnjat e vogla janë nervozizëm, ulje e aktivitetit, ulje e oreksit, apnea ose ndërprerje e frymëmarrjes gjatë gjumit. Infeksionet RSV mund të jenë të rrezikshme tek të porsalindurit, veçanërisht ata të lindur para kohe, më të vegjël se gjashtë muajsh, fëmijët nën moshën dy vjeç që kanë probleme me zemrën, mushkëritë dhe neuromuskulare, fëmijët që kanë një sistem imunitar të dobësuar”, thekson doktori.

Kontrolli në kohë dhe vendosja e diagnozës së saktë, siç thotë dr. Andonovski, është i domosdoshëm për terapinë korrekte të fëmijës, e cila do të shmangte pasojat e padëshiruara, përfshirë qëndrimin më të gjatë në kushte spitalore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button