Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për roaming më të lirë mes vendeve të B.Perëndimor dhe BE-së
Në Samitin për Ballkanin Perëndimor – Bashkimi Evropian, që po mbahet sot në Tiranë, operatorët e telekomunikacionit nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje që do të mundësojë uljen e çmimeve të roamingut ndërmjet BE-së dhe rajonit nga viti i ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Marrëveshja i hap rrugën fillimit të procesit për heqjen e tarifës së roamingut mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Pas negociatave të gjata, Komisioni Evropian dhe Këshilli rajonal për bashkëpunim (KRB), i udhëhequr nga Sekretarja e përgjithshme Majlinda Bregu, arritën marrëveshje me operatorët e telefonisë celulare në Evropë dhe Ballkan për të ulur tarifat e roamingut.
Nënshkrimi i Deklaratës për roaming do të garantojë ulje të ndjeshme të kostove të roamingut nga 1 tetori 2023. Tarifat afër niveleve kombëtare të çmimeve janë planifikuar të arrihen deri në vitin 2027.
Operacionalizimi i Deklaratës duhet të mundësojë uljen e kostove operative të biznesmenëve, të inkurajojë biznesin jashtë kufijve vendas dhe t’i japë shtysë shtesë turizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes rajonale për uljen e çmimeve të roamingut, e cila hoqi roamingun në Ballkanin Perëndimor nga korriku 2021, Këshilli rajonal për bashkëpunim, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, operatorë nga Bashkimi Evropian dhe nga Ballkani Perëndimor, si dhe me autoritetet nga rajoni është punuar për të ulur çmimet e roamingut ndërmjet BE-së dhe rajonit.
Më 1 korrik të vitit të kaluar, roamingu për thirrje telefonike, SMS dhe internet ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës u hoq. Kjo përfundoi zbatimin e Marrëveshjes nga Samiti i dytë digjital i vitit 2019 ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Delegacioni qeveritar në Samit udhëhiqet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Ky është samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor,
“Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së”, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian.
Temat kryesore të diskutimit janë:
- pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës,
- intensifikimin e angazhimit politik,
- përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja
- adresimin e sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Liderët pritet të lëshojnë deklaratë në fund të samitit.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës
Udhëheqësit do të diskutojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Ata do të shikojnë më konkretisht se si të trajtohen efektet e tij negative në energjinë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.
Angazhimi politik
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik, me fokus të veçantë te të rinjtë.
Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit të bërë:
- drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së,
- në modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së
- në fushën dixhitale,
- në zbatimin e korsive të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, një nismë për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave
Siguria dhe qëndrueshmëria ndaj ndërhyrjeve të huaja
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.
Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.
Menaxhimi i migracionit
Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.