Do të ketë hapje të Kushtetutës, por nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha Mariçiq

Do të ketë hapje të Kushtetutës, tha zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, mbrëmë në emisionin“Click Plus” në TV21, transmeton Portalb.mk.

“Ne do të japim të gjitha argumentet pse duhet të votojë opozita dhe do t’i japim hapësirë ​​të mjaftueshme për të hipur në këtë anije. Do t’u japim mundësinë që të kenë besim se ky proces ka filluar realisht dhe se ata vetë do ta ndalojnë nëse nuk votojnë”, thotë Mariçiq.

Sipas tij, zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme dhe mendoj se do të kemi sukses që të bëjmë ndryshime në Kushtetutë para atyre të rregullta”, theksoi Mariçiq.

Mariçiq nënvizoi se shumica e qytetarëve janë pro Bashkimit Evropian dhe se do të gjendet fuqi për t’i tejkaluar këto probleme që kanë ekzistuar edhe në vende të tjera.

“Të gjitha këto janë paragjykime dhe propagandë që duhet t’i kapërcejmë sepse sot si në Kroaci ashtu edhe në Slloveni këto aktivitete janë të lejuara, kështu që jetojnë shumë më të avancuar dhe më të kënaqur se ç’ishte 10 apo 15 vjet më parë, para se të hynin në BE”, shtoi Mariçiq.

Ndryshe, Parlamenti do të duhet mbledhë shumicën e kërkuar prej dy të tretash për të miratuar ndryshimet kushtetuse të kërkuara nga Bullgaria. Kjo nuk dihet se si do të ndodhë, pasi pushteti nuk ka numra. Për këtë arsye, kryeministri Kovaçevski, ftoi në takim liderët e partive politike, takim i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Në deklaratën e tij për media, kryeministri Kovaçevski theksoi se takimi ka qënë i një rëndësie të veçantë, ku të gjithë liderët e pranishëm i kanë shpalosur qëndrimet e tyre.

“Sot në takim nuk u morën vendime në bazë të të cilave do të mund të thonim se diçka që ishte propozua ishte pranuar. Megjithatë, arritja më e madhe ishte se të gjithë u ulëm në një tavolinë dhe mund t’i këmbenim mendimet dhe qëndrimet e çdo lideri politik në raport me rrugën evropiane të shtetit tonë”, theksoi pas takimit kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Në takim morën pjesë kryetarët e BDI-së Ali Ahmeti, ASH-së Arben Taravari, DOM Maja Moraçanin, VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, Alternativa Afrim Gashi, Bashkimi Demokratik Pavle Trajanov, PDSH Menduh Thaçi. Në takim nuk morën pjesë liderët Dimtar Apasiev nga “E majta” dhe Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.

Nga ana tjetër, nëse hapen këto ndryshime kushtetuese, partitë shqiptare duan që edhe 20% në Kushtetutë të zëvendësohet me “shqiptarë”, duke e paralajmëruar edhe si kushtëzim për mbështetjen e ndryshimeve kushteutese. ASH paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme, do të prezantojë pakon e kushteve për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button