Osmani në Bukuresht: Shpresoj se do të dërgojmë mesazh që Ballkani Perëndimor është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n
Jam i kënaqur që ky takim i NATO-s po mbahet në Rumani, i cili dërgon një mesazh se rajoni i Detit të Zi është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n dhe shpresoj që sot të dërgojmë një mesazh tjetër, që është se Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësisë strategjike për NATO-n, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani para takimit të sotëm ministror të NATO-s në Bukuresht, transmeton Portalb.mk.
“Siç prisja, nga diskutimet tona të djeshme dolëm edhe më të unifikuar në qëndrimin tonë për agresionin brutal rus, por edhe për mbështetjen e Ukrainës. Si anëtari më i ri i NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm politikën e jashtme të NATO-s dhe ne posaçërisht mbështesim anëtarësimin e BeH dhe Kosovës në NATO”, tha Osmani.
Osmani po merr pjesë në takimin e NATO-s të Këshillit të Atlantikut të Veriut, në nivel të ministrave të jashtëm, që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë.
Siç informoi Ministria e Punëve të Jashtme, fokusi i bisedimeve të djeshme ishin sfidat aktuale të sigurisë, mbështetja për Ukrainën, si dhe pasojat e agresionit ushtarak rus, përfshirë krizën energjetike dhe mungesën e ushqimit, të cilat shkaktojnë destabilitet në rajone të ndjeshme, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.