Rruga e UÇK-së, banorët: Komuna ka premtuar se do e rregullojë kanalin e lumit në pranverë, Kasami: Përpilimi i projektit është në realizim e sipër

Rreziku për vërshime nga dalja e lumit prej shtratit pas reshjeve të shiut mbetet kërcënues për banorët e rrugës së “UÇK-së” (101) në Reçicë të Vogël. Problem mbetet shtrati i lumit i cili nuk është i rregulluar dhe i nivelizuar. Banorët thonë se komuna u ka premtuar që në pranverë do e sanojnë këtë problem, ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës i pyetur nga Portalb.mk u shpreh se po përgatitet projekt për zgjidhje afatgjate, megjithatë pa definuar datë konkrete.

Pasoja nga vërshimet e fundit pati edhe përgjatë rrugës së UÇK-së e njohur ndryshe edhe si rruga “101” në Reçicë të Vogël, e cila lidh më shumë se dyqind shtëpi banuese. Lumi doli nga shtrati dhe shkatërroi infrastrukturën rrugore, dhe e njëjta u la pa përkujdesje për disa javë.

Pas disa javëve të lënë në gjendje të mjerueshme, sot banorët e kësaj zone rrëfejnë se Komuna u ka ndihmuar me bekatona për ta nivelizuar rrugën, ndërsa ata vetë me punë dore si dhe edhe me përkrahje financiare kanë kontribuar që ta rregullojnë dhe sanojnë rrugën.

Sipas tyre problemi është zgjidhur përkohësisht, pasi duhet të rregullohet shtrati-kanali i lumit që të qarkullojë uji normal. Për këtë, ata shprehen se nga komuna u kanë premtuar që në pranverë do e sanojë problemin me zgjidhje afatgjate.

Pyetëm kryetarin e komunës, Bilall Kasamin për shqetësimin e këtyre banorëve. Ai thotë se sa i përket rrugës së UÇK-së Komuna ka marrë masa ku pjesën më kritike e ka sanuar, ndërsa banorët kërkojnë që të riparohet pjesa e rrugës që është në shtratin e lumit.

“Ne veç më përgatitim projekt, kemi angazhuar kompani, përgatisim projekt në zgjidhje afatgjate të saj, pra nuk mundet rruga të jetë në shtratin e lumit dhe aty duhet të kthehet shtrati i lumit aty ku e ka vendin dhe rruga të bëhet në hapësirat adekuate, përpilimi i projektit është në realizim e sipër, kur do të kemi zgjidhje afatgjate do të intervenojmë. Për momentin pjesa kritike është rregulluar. Sa i përket pjesës së rrugës që është në shtratin e lumit, ne nuk mund të investojmë para publike për diçka që vërshimi i radhës që do të vijë përsëri do ta dëmtojë”, tha Kasami.

Sot, derisa gazetari i Portalb.mk ishte në terren pikërisht në këtë rrugë, aty pamë përfaqësues nga UNDP-ja dhe Komuna e Tetovës të cilët shihnin situatën në terren, konkretisht te lumi.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kështu dukej rruga sot:

This slideshow requires JavaScript.

Ndërsa kështu dukej në muajin shtator, disa javë pas vërshimeve:

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Problemi për banorët e kësaj lagjeje filloi me vërshimet e vitit 2015, kur rruga u dëmtua keq. Udhëheqësia e kaluar komunale, vendosi gypa prej 1.20 metrave, të cilat ishin më të vogëla nga se duhej, me çka nuk u zgjidh problemi dhe të njëjtat janë dëmtuar disa herë. Sipas banorëve, shtrati i lumit u desh të bëhet njëjtë si në fshatin Reçicë e Madhe.

Kujtojmë që, në mbledhjen e fundit ë shtabit të krizës të komunës u miratua vendim që në mesin e rrugëve tjera të dëmtuara nga vërshimet e fundit, të ndërhyhet edhe në rrugën e UÇK-së. Po në këtë mbledhje u vendos që të kërkohet ndihmë nga Qeveria për dëmet e shkaktuara, por Qeveria nuk e pranoi një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button