Në Shqipëri mbahet ministeriali BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë

Në Shqipëri po mbahet ministeriali Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë, i organizuar në kuadër të presidencës çeke të BE-së, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të vendeve të rajonit dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fokus të ministerialit që mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë janë çështjet e bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e drejtësisë, ndikimet e luftës Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij në hapje të ministerialit tha se është i bindur që ministeriali do të jetë një mundësi më shumë për të forcuar bashkëpunimin në fushën e shteti të së drejtës, sipas tij, me fokus konsolidimin e mekanizmave të funksionimit të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky takim na bën bashkë në kohë të vështira në kontinentin tonë, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, kohë ku zëri dhe veprimet e koordinuara janë kritike për të adresuar sfidat me të cilat përballemi brenda shteteve tona, bashkërisht në rajon, por dhe mbarë në Evropë”, tha Manja.

Ministri çek i Drejtësisë, Pavel Blazek, theksoi se rajoni është përparësi në angazhimet e presidencës çeke të Bashkimit Evropian.

“Jam vërtet i kënaqur që presidenca çeke (e BE-së) ka patur mundësinë të organizojë këtë forum ministerial dhe u jam vërtet shumë mirënjohës miqve tanë nga Shqipëria që janë mikpritësit tanë”, tha Blazek.

Komisioneri i BE për Drejtësinë, Didier Reyndes, tha se së bashku duhet të punojnë më fort që të përshpejtojnë punët sa i përket shtetit të së drejtës.

“Ne të gjithë përballemi me të njëjtën sfidë, agresionin rus kundër Ukrainës. Lufta është shkelje e rregullave elementare të drejtësisë, të demokracisë dhe sundimit të ligjit, por është edhe më shumë sesa kaq, është në fakt një përpjekje e qëllimshme për t’i hedhur poshtë ato rregulla dhe ato vlera”, tha Reyndes.

Në ministerial marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues të ministrive të Drejtësisë nga vendet e rajonit, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, ndërkohë, në përfundim të punimeve të ministerilait do të mbahet një konferencë për media në lidhje me çështjet e diskutuara.

Më 3 nëntor në Tiranë u mbajt edhe ministeriali Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button