RMV, ekoaktivizmi mundësi për të rinjtë që të ardhmen ta marrin në duart e tyre

Mbrojtja e rrëqebullit ballkanik, ruajtja e pasurisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, lufta për ajër më të pastër, reduktimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike, kalimi i energjisë në burime të rinovueshme, ruajtja e biodiversitetit, menaxhimi i mbetjeve, futja e ekonomisë cirkulare… Lista e sfidave ekologjike me të cilat po përballet vendi ynë është e gjatë dhe e përbashkëta e të gjithave është se shumë prej zgjidhjeve për to janë krijuar nga aktivistë dhe organizata të reja ekologjike, shkruan Meta.mk, tranmseton Portalb.mk.

Aktivizmi ekologjik është një nga mjetet më të dobishme për korrigjimin e punës së institucioneve, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e politikave që do të duhet të modelojnë të ardhmen dhe zhvillimin e gjelbër. Nuk mund të anashkalohet ndikimi i një individi ose një grupi të vogël njerëzish, sepse edhe ndryshimi më i vogël mund të ndezë një revolucion.

Numri i aktivistëve dhe organizatave civile që punojnë në fushën e mjedisit në vend është i vogël, por ndikimi i tyre ndër vite po rritet. Ata apelojnë që të rinjtë të përfshihen sa më shumë në proceset vendimmarrëse dhe të mos lejojnë dikë tjetër të modelojë realitetin në të cilin do të duhet të jetojnë. Brezat e rinj, jo vetëm gjimnazistët dhe studentët, por edhe më të rinjtë, duhet të kontribuojnë dhe punojnë aktivisht për rritjen e transparencës së punës së institucioneve dhe përditësimin e situatave në mjedisin e tyre. Në vend ka shumë shembuj të aktivizmit mjedisor që çuan në ndryshime më të mëdha pozitive pikërisht me lobimin dhe presionin e tyre ndaj politikanëve.

Njëra prej tyre është Ana Çoloviq-Leshoska, drejtoreshë ekzekutive e “Eko vetëdija” dhe fituese e çmimit Goldman për arritje në mbrojtjen e mjedisit për shërbimet që ajo dhe kolegët e saj aktivistë kanë për mbrojtjen e Parkut kombëtar të Mavrovës. Për të është vulë e të gjitha arritjeve në dy dekadat e fundit të punës dhe ekzistencës së “Eko vetëdijes”, në të cilën organizata ka kryer shumë analiza dhe hulumtime që sot janë të integruara në politikat e shtetit.

“Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ekziston apatia dhe ndjenja se individi nuk mund të ndryshojë diçka. Unë jam duke punuar vazhdimisht për të thyer ato nocione dhe mendoj se një mendim dhe një ide mund të vijë nga një person, dhe shumë njerëz dhe organizata mund të mblidhen rreth tij për të arritur një qëllim. Të rinjve u them gjithmonë se ndryshe nga shoqëritë e zhvilluara ku funksionon sistemi, tek ne nuk është kështu, por pikërisht për këtë kemi hapësirë ​​ne aktivistët dhe organizatat të jemi hallka e munguar. Lëvizjet aktiviste qytetare janë diçka që mund të lëvizë malet në shoqëri si kjo e jona. Nuk ka shpërblim më të madh për një individ sesa të jesh jashtë sistemit dhe të bësh një ndryshim”, thotë Çoloviq-Leshoska.

Ana ka qenë aktiviste që në vitet e adoleshencës, kur u lidh me natyrën dhe kuptoi se donte të mbronte diçka që nuk ka zë dhe nuk mund të mbrohet, si uji i pastër, ajri, jeta e egër… që të gjithë e shijojmë, por vështirë se dikush ngrihet për ta mbrojtur.

“Ne duhet të krijojmë të rinj të ndërgjegjshëm që do të duhet të bëhen qytetarë të përgjegjshëm. Na mungojnë qytetarët të cilët do të dinë se kush i merr vendimet dhe si duhet të veprojmë me ato vendime. Besoj se nëse arrijmë të ndërtojmë një rini të ndërgjegjshme, do të kemi shoqëri më të shëndetshme në të ardhmen”, thotë Çoloviq-Leshoska.

Gorjan Jovanovski është aktivist dhe krijues i aplikacionit “Ajri im”, i cili ngriti vetëdijen e qytetarëve për gjendjen e ndotjes së ajrit në qytete dhe inkurajoi institucionet që të merren më seriozisht me zgjidhjen e problemit. Si i ri, Gorjani ndihet i shqetësuar për të ardhmen, por shumë më tepër për të tashmen, sepse jeton në mjedisin aktual, të cilin ai beson se duhet të luftojë për ta bërë më të pastër dhe më të rregullt. Ai thotë se të rinjtë nuk duhet të jenë vëzhgues memecë të situatës, por t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe të investojnë në ndërtimin e një ambienti më të mirë jetese. Ai konsideron se aktivizmi ekologjik në vendin tonë është në fillimet e tij dhe se megjithëse kemi organizata që punojnë prej shumë vitesh, kanë nevojë për masë dhe mbështetje nga qytetarët.

“Është thelbësore që çdo i ri të aktivizohet për të kontribuar në ndryshimin e gjithë kësaj. Të rinjtë duhet të motivohen nga shembuj pozitivë nga mjedisi i tyre, të kenë model njerëzit që janë aktivistë të vërtetë për një të ardhme më të mirë dhe më të gjelbër dhe jo ata që parkojnë automjete të shtrenjta në bar apo hedhin mbeturina në rrugë. Ajo që po bëjnë aktivistët është e bukur”, thotë Jovanovski.

Ekoaktivizmi i Gorjanit filloi më shumë se tetë vjet më parë dhe lidhet drejtpërdrejt me aktivizimin e “Ajri im” dhe zgjidhjen e ndotjes së ajrit në vend. Ai thotë se ka pasur dashuri për natyrën që në fëmijëri dhe ndikimin më të madh tek ai e kanë pasur gjatë shkollimit në SHBA, prandaj konsideron se roli i sistemit arsimor dhe prindërve në edukimin e të rinjëve për rëndësinë e mjedisit dhe nevojën për ta mbrojtur atë vazhdimisht është më i madhi.

“Shembulli personal duhet të përfshihet në procesin e të mësuarit dhe fëmijët duhet të përfshihen vazhdimisht drejtpërdrejt në aktivitete. Në këtë mënyrë do të krijojmë gjenerata të reja me vetëdije të madhe ekologjike, nga të cilat vendi do të ketë përfitime të mëdha”, thotë Jovanovski.

Aktivizmi mjedisor nuk duhet të jetë vetëm kritik, pa i dhënë propozim apo zgjidhje konkrete një problemi dhe duke ndikuar në një të nesërme më të gjelbër dhe më të mirë. Mila Jovanovska nga “Go Green” thotë se organizata është duke punuar në mënyrë aktive me të rinjtë për t’i edukuar ata për ndryshimet klimatike dhe për të krijuar komuna të qëndrueshme përmes të cilave të rinjtë tashmë po bëjnë propozime konkrete për komunat e tyre për problemet e mjedisit jetësor që ata mendojnë se duhet të zgjidhen.

“Të rinjtë janë të dënuar të jetojnë të ardhmen për të cilën vendimet janë marrë nga dikush tjetër. Sepse sa më shpejt t’i përfshijmë në procesin e vendimmarrjes dhe t’i njohim proceset, aq më shpejt do të jenë të gatshëm të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të japin zërin dhe mendimin e tyre në krijimin e zgjidhjeve dhe politikave të qëndrueshme”, thotë Jovanovska.

Ajo informoi se “Go Green” do të hapë edhe një platformë online përmes së cilës të gjithë të rinjtë e interesuar do të mund të përfshihen dhe të ndjekin kurset për ndryshimet klimatike dhe aktivizmin ekologjik. Ata gjithashtu organizojnë shumë aktivitete dhe ngjarje lokale, aksione guerile dhe fushata në mediat sociale, përmes të cilave duan të tërheqin të rinjtë që t’u bashkohen dhe të edukohen për këto tema.

“Pothuajse të gjitha organizatat përballen me një sfidë të madhe të aktivizimit të të rinjve pas pandemisë me “Covid 19”. Ata janë shumë joaktivë dhe të painteresuar dhe nuk gjejnë kuptim në asgjë, besojnë pak në ndryshime, veçanërisht se një individ apo një grup mund të bëjë ndryshim në sistem”, thotë Jovanovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button