BE-ja do ta ndihmojë Shqipërinë me 80 milionë euro për të përballuar krizën energjetike

Bashkimi Evropian do të ndihmojë Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë, tha se përgjigja ndaj kësaj situate do të jetë shumë më e gjerë sesa thjesht një mbështetje buxhetore. Ajo foli për solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit përballë kësaj krize, transmeton REL.

“Mbështetja do të jetë 80 milionë euro në grante. Ju keni një sistem që është i mirë për të ndihmuar familjet dhe bizneset e vogla. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme por pas janarit, për sistemin e energjisë, 500 milionë euro në grante për të investuar në strukturën energjetike të rajonit”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen.

Kryeministri Rama falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën, por duket se e vlerësoi të pamjaftueshme.

“Nuk na mjaftojnë ato 80 milionë euro, por megjithatë janë një ndihmë e rëndësishme dhe ne jemi falënderues. Sa pjesë e nevojës janë për të mbrojtur çmimin e konsumatorëve? Janë 1/6. Nëse i referohemi këtij viti, na është dashur në total 460 milionë euro energji. Është një shumë marramendëse, por që ka ndihmuar për inflacionin. Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, dhe një nga arsyet është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë”, theksoi kryeministri Rama.

Kryeministri shqiptar tha më tej se nuk do të rritet çmimi i energjisë, ndërsa propozimin për vendosjen e fashës prej 800 kilovat, nuk e konsideroi rritje, por vendosje e një tavani të arsyeshëm, që prek sipas tij vetëm 60 mijë familje.

Ai shtoi se shembulli i Kosovës që po aplikon fashën prej 800 kilovat tregon sa e vlefshme është dhe sa do të ndihmojë në kursimin e energjisë elektrike.

Aktualisht Shqipëria nuk aplikon pagesën e energjisë me fasha. Edhe pse qeveria e propozoi fashën 800 kilovat për muajin tetor, më pas u tërhoq duke deklaruar se reshjet e shiut e përmirësuan situatën energjetike.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për një tjetër investim me rëndësi, për gazsjellësin adriatiko-jonian, një investim i përbashkët i Azerbajxhanit, BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit. Rama shpjegoi se ky investim që do të lidhë gazsjellësin transatlantik me Malin e Zi dhe Kroacinë, që sipas kryeministrit shqiptar, do të jetë vlerë e shtuar për Shqipërinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button