Prokuroria e Maqedonisë nënshkroi Marrëveshje pune për bashkëpunim me Prokurorinë evropiane

Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, nënshkroi sot në Luksemburg Marrëveshje pune për bashkëpunim me kryeprokuroren evropiane Laura Kodruta Kovesi, transmeton Portalb.mk.

Dokumenti ka për qëllim të lehtësojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacionit midis dy prokurorive për të siguruar hetim dhe ndjekje efikase të autorëve të krimeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e burimeve financiare nga fondet evropiane.

Marrëveshja parasheh që Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Prokuroria Publike Evropiane do të shkëmbejnë të gjitha informacionet strategjike brenda juridiksionit të tyre. Zyra e Prokurorit Publik Evropian gjithashtu themelon pikën e vet të kontaktit në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në këtë kohë të sfidave globale financiare dhe ekonomike me të cilat po ballafaqohemi të gjithë, prokuroritë publike dhe organet hetuese në përgjithësi kanë obligim që të bëjnë çdo përpjekje për të parandaluar çdo keqpërdorim të mjeteve buxhetore. Por, krimi financiar i kapërcen kufijtë kombëtarë të shteteve dhe vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë dhe veprim të përbashkët realisht mund të përballemi me keqpërdorimet”, tha Joveski gjatë nënshkrimit.

Me dokumentin e nënshkruar sot, parashikohet që dy prokuroritë të zhvillojnë takime në nivel të lartë, si dhe takime teknike në nivel operacional dhe administrativ. Marrëveshja gjithashtu përcakton mundësinë që dy prokuroritë publike të mund të krijojnë ekipe të përbashkëta hetimore në të ardhmen me marrëveshje të veçanta.

Në ceremoninë e nënshkrimit në selinë e Prokurorisë Publike Evropiane morën pjesë prokurori publik në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut Xhelal Bajrami dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, Mile Prangoski.

Ndryshe, raporti i KE-së për reformat në fushën e gjyqësisë, përsëriti paralajmërimin se Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë mbetet e vetmja “hyrje” për këto profesione dhe se trajnimi fillestar nuk duhet të tentohet. Pavarësisht nga efikasiteti i ruajtur i gjyqësorit, kritikat e përsëritura për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore dhe pagat në gjyqësor kanë qenë të mprehta.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut, shtohet më tej, ka demonstruar angazhim për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së tij, por zvogëlimi ndjeshëm i përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, tashmë është shqetësuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button