RMV-ja me probleme kronike, raporti i KE-së vërejtje të njëjta edhe këtë vit si vitin e kaluar
Raporti i Komisionit Evropian për këtë vit nuk është se ka ndonjë risi në vërejtjet dhe lëvdatat nga ai i vitit të kaluar. Ashtu siç e cilëson edhe analiza e raportit të KE-së e Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimi është pikërisht në prizmin e ri që i jep raportit një ton tjetër, për shkak se ndryshe nga viti i kaluar, Komisioni Evropian këtë vit mundi të paraqesë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe konferencën e parë politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut si suksesin kryesor në politikën ndaj Ballkanit Perëndimor, madje edhe si një “moment historik”, që shënon “një fazë të re të politikës së zgjerimit”. Por nga ana tjetër ky raport ruan strukturën e vitit të kaluar, një pjesë të madhe të përmbajtjes dhe përsërit një numër të madh problemesh kronike, transmeton Portalb.mk.
Analiza e EPI-t, theskon se vlerësimet e Komisionit çojnë në dy përfundime:
• Vlerësimi i gatishmërisë kryesisht të moderuar në shumicën e grupeve është i njëjtë me vitin e kaluar. Dallime të mëdha mbeten midis kapitujve dhe të njëjtat vlerësime të gatishmërisë nëpër kapituj, me përjashtim të Kapitullit 31 të Politikës së Përbashkët të Sigurisë së Jashtme, ku niveli i gatishmërisë është ngritur në “mirë”, falë respektimit të plotë të sanksioneve kundër Rusisë.
• Vlerësimet e progresit janë disi më të mira në krahasim me vitin e kaluar, kështu që në vend të mungesës së progresit ose përparimit “të kufizuar”, Komisioni vëren “progres të caktuar” në shumicën e kapitujve. Megjithatë, kjo nuk sjell ndryshim tek vlerësimi i gatishmërisë, i cili, me përjashtimin e vetëm, ka qenë i njëjtë që nga viti 2019, me shumë pak ndryshime në vitet para.
Nga këtu, konkluzioni i EPI-t nga viti i kaluar mbetet se ky është rezultat i natyrës afatgjatë të procesit të anëtarësimit, ndryshimit të vazhdueshëm të legjislacionit evropian, por edhe mungesës së përgjithshme të mbështetjes politike në BE për procesin e zgjerimit, vizavi retorikës së ndryshuar të këtij viti. Ruajtja e kësaj qasjeje nuk jep një shtysë për reforma nga perspektiva e një shteti kandidat.
Grupi 1: Themelet
Siç pritej, vëmendja më e madhe në Raport i kushtohet Grupit 1: Themelet. Për institucionet demokratike, është thelbësore që Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, “pavarësisht sfidave të caktuara”. Vlerësimi i vitit të kaluar u përsërit ku thuhet se shteti tregoi një “angazhim për të dhënë rezultate” në zonat kyçe të grupit Themelet. Këtë vit, raporti vlerëson progresin në reformat zgjedhore dhe e cilëson atë si të kufizuar. Fjalori që KE përdor në raport me Parlamentin është më i rreptë se vitin e kaluar. Ndryshe nga viti i kaluar, kur funksionimi i Parlamentit u vlerësua përkundër polarizimit politik, këtë vit ai në masë të madhe është subjekt i kritikave. Sa i përket reformës në administratën publike, vlerësimi i gatishmërisë edhe në këtë raport mbetet i njëjtë si në atë të fundit – i moderuar. Situata në fushën e të drejtave themelore është sërish shqetësuese për sa i përket zbatimit. Në luftën kundër korrupsionit raporti është fokusura në paraqitjen e rezultateve të rasteve, veçanërisht atyre të profilit të lartë, me konstatim pozitiv për vazhdimin e rasteve nga ish-PSP-ja.
Grupi 2: Tregu i brendshëm
Në grupin 2, ndryshim pozitiv në aspektin e progresit vërehet në pesë kapituj, dhe theksohet dukshëm në kapitujt 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, 6 – Ligji i shoqërive tregtare dhe 9 Shërbimet financiare. Progresi në këta kapituj është për shkak të harmonizimit të pjesëve të legjislacionit vendas me acquis të BE-së në fusha specifike dhe rekomandohet zbatimi i tyre gjatë vitit të ardhshëm. Stagnimi i vazhdueshëm në kapitullin e rëndësishëm 8, Politika e Konkurrencës, për shkak të kapaciteteve të dobëta të Agjencisë, si dhe në kapitullin 2 Lëvizja e lirë e punëtorëve, ku vihet re se nuk janë ndërmarrë hapa për të siguruar trajtim të barabartë në aksesin në tregun e punës në bazë të përkatësisë etnike. KE, në vlerësimin e saj, e lidh këtë grup me detyrimet e anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së, por edhe në tregun e përbashkët rajonal.
Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse
Në grupin 3, progresi mund të shihet në të gjithë kapitujt. Krahas miratimit të ligjeve të rëndësishme, si Ligji i Buxhetit, u vlerësuan pozitivisht përmirësimi i mbrojtjes sociale, rritja e financimit të projekteve inovative dhe rritja e buxhetit për arsimin. Politika doganore është një pikë e fortë dhe raporti i KE-së e konfirmon këtë. Vërejtja e vetme në këtë kapitull ka të bëjë me mosratifikimin e Protokollit për tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit. Megjithatë, niveli i gatishmërisë nuk është i avancuar në asnjë kapitull. Rekomandimi i qartë i KE „për të zhvilluar masa të tjera për të rritur konkurrencën e kompanive vendase dhe integrimin e tyre në zinxhirët globalë të vlerës, përveç ndihmës shtetërore“, duket i rëndësishëm.
Grupi 4: Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme
Në grupin 4, Kapitulli 27: Mjedisi shënon progres „të caktuar“ ndryshe nga vitet e kaluara të stagnimit apo progresit krejtësisht të kufizuar, por vërejtjet mbeten për zbatimin. Kapitujt e tjerë (14. Politika e transportit 15. Energjia 21. Rrjetet trans-evropiane) kanë shënuar përparim të kufizuar. Shqetësimi i veçantë buron nga fakti se këta kapituj janë një pjesë e rëndësishme e Planit ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, paralajmërimet në kapitullin Energjia janë gjithashtu shqetësuese, veçanërisht se është e nevojshme të përshpejtohet kalimi në burimet e rinovueshme të energjisë dhe të zvogëlohet varësia nga gazi, si dhe kritikat për moszbatimin e legjislacionit dhe efiçiencës së energjisë dhe incentivat e pamjaftueshme.
Grupi 5: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni
Në grupin 5, nga njëra anë janë kapitujt në të cilët shohim progres të vazhdueshëm si kapitulli 12: Siguria e ushqimit, në krahasim me stagnimin si kapitulli 22: Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, si dhe kapitulli 32: Dispozitat financiare dhe buxhetore, ndërsa Kapitulli 12. Bujqësia po ecën ngadalë me “progres të caktuar”. Konstatimet e vazhdueshme për zvogëlimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e fondeve të BE-së dhe vonesat në zbatimin e projekteve më të rëndësishme janë jashtëzakonisht shqetësuese. Kjo kritikë e qartë vjen kundrejt shumicës së deklaratave publike të zyrtarëve qeveritarë për rritjen e kapaciteteve IPA.
Grupi 6: Marrëdhëniet e jashtme
Marrëdhëniet e jashtme kanë parë përparim për shkak të rritjes së përputhshmërisë me qëndrimet e BE-së (100 %) dhe pjesëmarrjes sonë në misionet e BE-së. Kapitulli 31. Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë është kapitulli i vetëm në të cilin Komisioni përcakton një ndryshim në nivelin e gatishmërisë për të ndërmarrë detyrimet e anëtarësimit. Megjithatë, mungon një kuadër politik për zhvillimin dhe ndihmën humanitare. Në këtë raport vërehet mosrespektimi i procedurave të përcaktuara të MSA-së lidhur me detyrimin për të informuar dhe argumentuar kufizimet e futura të importit, gjë që përbën një kritikë serioze për një vend me përvojën më të gjatë në zbatimin e Marrëveshjes.
Marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal
Komisioni mban një qasje të kujdesshme ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, kryesisht duke regjistruar aktivitetet dhe angazhimin për të zbatuar si Marrëveshjen e Prespës ashtu edhe Marrëveshjen me Bullgarinë “në mirëbesim nga të gjitha anët”. Njëkohësisht, sa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Bullgarinë, u vlerësua se “fokusi ishte në tejkalimin e çështjeve të hapura dypalëshe, të cilat i hapën rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit në BE”, njëkohësisht duke theksuar se ato janë intensifikuar. Ndonëse nga teksti i Raportit shihet qartë se Komisioni po përpiqet të mbajë një qëndrim të paanshëm, theksohen detyrimet që Qeveria ka marrë përmes negociatave dypalëshe me Bullgarinë, të miratuara më pas në dokumentet e Këshillit të BE-së. Kështu, si në Strategji ashtu edhe në Raport thuhet se “Parlamenti dhe Qeveria janë zotuar të iniciojnë dhe zbatojnë me prioritet ndryshimet kushtetuese përkatëse, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit”.
Ndryshe, Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.
- LEXO: RMV-ja duhet t’i intensifikojë aktivitetet në drejtim të digjitalizimit, vlerësoi Komisioni Evropian
- LEXO: BE-ja me kritika të njëjta si vjet: Të përshpejtohet ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D dhe reformat në hekurudha
- LEXO: Komisioni Evropian konstatoi “kërcënimet në rritje nga dezinformatat” në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Komisioni Evropian me një sërë kritikash për Maqedoninë e Veriut në fushën e barazisë gjinore
- LEXO: Raporti i KE-së për RMV-në: Lëvdata për sanksionet ndaj Rusisë, por duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit