“Të rregullt në orë”, Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni i mbështeti me bursa 1.500 nxënës romë
Sot u prezantuan rezultatet e projektit trevjeçar “Të rregullt në orë: aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni (FSHHM) në partneritet me Shoqatën Qendra për Mbështetje Arsimore “Dendo Vas” dhe Fondacionin për Nisma Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”, transmeton Portalb.mk.
Projekti “Të rregullt në orë” përfshinte bursa të nxënësve, regjistrim në shkollë për fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk e kanë realizuar këtë të drejtë dhe detyrim në të njëjtën kohë, ndërsa gjithashtu u sigurohen edhe asistentë. Si mbështetje, shkollat morën grante për projekte dhe pajisje, ndërsa u organizuan edhe trajnime të ndryshme.
Drejtoresha ekzekutive e FSHHM, Fani Karanfilova–Panovska, theksoi se ky ishte projekt i jashtëzakonshëm, jo vetëm sepse me mbi 1.500 bursa u stimuluan dhe inkurajuan financiarisht familjet më të varfra rome që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, por edhe janë ndihmuar të qëndrojnë në shkollë në kushtet e vështira të pandemisë.
“Ky projekt ka treguar se nëse fëmijët romë marrin mbështetjen e nevojshme financiare dhe të tjera, ata mund të përparojnë në mësime po aq mirë sa edhe bashkëmoshatarët e tyre jo-rom”, tha Karanfilova–Panovska.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri theksoi se rezultatet konkrete të aktiviteteve të përgjithshme të Ministrisë që synojnë inkluzivitetin e pjesëtarëve të komunitetit etnik rom tregojnë se është rritur përfshirja në shkollat fillore, është rritur rregullsia gjatë orëve të mësimit dhe është rritur përqindja në kalim të suksesshëm në klasat në vijim.
“Si mbështetje për përvetësimin më të lehtë të detyrimeve shkollore angazhohen edhe tutorë. Gjithashtu, për nxënësit e kategorive me rrezik social ndahen bursa, jo vetëm përmes këtij projekti, por edhe në programet e bursave të MASH-it, janë paraparë bursa për nxënësit e shkollave të mesme edhe për studentët romë”, theksoi ministri, duke shtuar se avancimi i vazhdueshëm i arsimimit të pjesëtarëve të bashkësive më të vogla etnike në vend, përfshirë edhe romët, është notuar edhe në raportin vjetor”, tha Shaqiri.