Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për çmimin e produkteve të qumështit
Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka mbajtur seancën e 87-të ku u vendos për ndryshimin e kushteve për tregti të disa mallrave, transmeton Portalb.mk.
Në këtë seancë u miratua Vendimi për plotësimin e vendimit për kushte të veçanta për tregti për një pjesë të caktuar të mallrave. Ky ishte propozim i Ministrisë për Ekonomi me të cilën do të ngrihen marzhat edhe për çmimet e produkteve të qumështit: gjizë, djathi, kashkavalli, kosi, ajkës dhe jogurtit.
Marzha maksimale e fitimit është caktuar 10 për qind. Në këtë seancë u anulua Vendimi për kufizimin e eksportit të disa mallrave.
Ndryshe, prej 14 qershorit të këtij viti ishin ngrirë edhe marzha e fitit të disa produkteve tjera bazë, si ushqimi, sheqeri, mielli, vaji, etj.
Vala e shtrenjtimit të produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut nuk ka të ndalur pavarësisht masave të Qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve, të cilët ankohen se me të ardhurat që marrin nuk po arrijnë t’i sigurojnë as produktet bazë të konsumit.
Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.
Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.