Bosnjë, konfuzion pasi dy kandidatët shpallën fitoren në zgjedhjet për president të Republikës Serbe

Bosnja u gjend e përfshirë nga konfuzioni të hënën ndërsa dy kandidatët rivalë serbë shpallën secili fitoren në zgjedhjet që duket se do t’i shtojnë më shumë pasiguri skenës politike në këtë vend. Votuesit shprehen skeptikë për pretendimin e fitores nga të dy kandidatët për postin e presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, shkruan Zëri i Amerikës.

Ndërsa vazhdonte procesi i numërimit të votave të hënën, udhëheqësi i hershëm i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u duk se ishte pranë humbjes kur rivalja Jelena Trivic shpalli fitoren në garën për presidencën e Republikës Serbe të Bosnjës.

“Po. Kjo ishte një fitore e popullit. Siç e kam thënë shumë herë gjatë fushatës, kjo nuk duhet të jetë fitorja ime personale apo fitorja personale e dikujt prej nesh. Kjo duhet të jetë fitorja e Republikës Serbe”, deklaroi Trivic.

Milorad Dodik kërkon mandatin e tretë si president i Republikës Serbe, pasi mbajti një post edhe në presidencën trepalëshe të Bosnjës.

“Rezultatet na mundësojnë të themi seriozisht se unë fitova zgjedhjet presidenciale. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në zgjedhje, atyre që votuan për mua dhe atyre që nuk votuan për mua. Mendoj se Republika Serbe ka kaluar një test serioz demokratik”, deklaroi Dodik .

Ndërsa Dodik kërkon mandatin e tretë si president, ai ka ushqyer vazhdimisht tensionet me thirrjet e shpeshta që serbët e Bosnjës të distancohen edhe më tej nga institucionet qendrore të vendit. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij në muajin janar.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODHIR-it tha se zgjedhjet ishin konkuruese, por se vazhdojnë shqetësimet për dështimet në reforma, retorikën përçarëse dhe një mungesë e gjerë e besimit tek institucionet publike.

Votuesit shprehen të zhgënjyer dhe shohin me skepticizëm shpalljen e fitores nga të dy kandidatët.

“Për herë të parë kemi dy presidentë. Ajo që mund të themi me siguri është se procesi elektoral është dëmtuar”, thotë Zeljko Raljic, votues në Banja Luka.

“Një thotë ‘fituam ne’, tjetri thotë ‘fituam ne’. Është gjithçka e kotë derisa të numërohen të gjitha votat. Shpresoj që me këdo që do të vijë në pushtet, gjërat të shkojnë në një drejtim më të mirë. Të gjithë duhet të vijnë në vete”, thotë Dragan Berko.

Fushata elektorale u dominua nga retorika nacionaliste dhe gjuha e urrejtjes, duke u përqëndruar në temat e mbrojtjes së interesit kombëtar dhe kritikat ndaj kundërshtarëve, se sa tek çështjet e jetës së përditshme, si punësimi dhe inflacioni në rritje.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome, Republika Serbe dhe Federata e përbashkët boshnjako-kroate, nën ombrellën e një qeverie të dobët qendrore. Ky sistem i ndarjes së pushtetit u arrit nëpërmjet një marrëveshjeje paqeje me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që i dha fund luftës brutale të viteve 1992-1995 mes grupeve kryesore etnike, boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.

Rusia është akuzuar shpesh nga Perëndimi se kërkon të destabilizojë Bosnjën dhe të gjithë Ballkanin nëpërmjet aleatëve serbë në rajon. Votimet e së dielës u bënë mes frikës në rritje se Kremlini mund të përpiqej të rindezte konfliktin në Bosnjë dhe të largonte kështu vëmendjen nga sulmi në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button