Armata e RMV-së nuk ka plan ta kthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është tërësisht armatë e profesionalizuar dhe deri më tani nuk ka kurrfarë plane, as procese konsultative për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Vendimi për ushtri profesionale do të vazhdojë të zbatohet, njëkohësisht duke i plotësuar të gjitha obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO, njofton Portalb.mk.
Kështu deklarojnë nga Ministria e Mbrojtjes, pasi që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-nënkolonel Vasko Gjurçinovski, mbrëmë në emisionin “Click Plus” në TV21 deklaroi se personalisht është “për” kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Siç tha ai, shërbimi për meshkuj do të ishte 3-4 muaj, ndërkaq për femra nuk do të ishte i detyrueshëm, por vetëm sipas dëshirës.
“Ministria e Mbrojtjes është institucion në të cilën çdo profesionist ka të drejtë, mundësi, por edhe obligim ta tregojë qëndrimin e tij dhe i njëjti të dëgjohet. Nëse ekziston interes në opinion, Ministria e Mbrojtjes është e hapur që të diskutojë për çdo çështje, përfshirë edhe këtë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Për çështjen në fjalë, sot kanë reaguar edhe nga Presidenca, prej ku thonë se çështja nuk ka qenë e hapur në të kaluarën, por nuk ka mundësi që të hapet në të ardhmen.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka Armatë profesionale, në pajtueshmëri me nevojat e vendit. Vendim strategjik i cili do të vazhdojë të zbatohet edhe në të ardhmen, duke i plotësuar obligimet si anëtare e plotë e NATO-s. Kreu shtetëror nuk e ka shqyrtuar mundësinë për kthimin e shërbimit të detyrueshëm në Armatë, as në periudhën e kaluar, as ka mundësi të tillë që të hapet në të ardhmen. Shfuqizimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 2006 dhe profesionalizimi i plotë i Armatës është vendim i cili është miratuar si pjesë e procesit të transformimit të Armatës, sipas analizave dhe vlerësimeve të resurseve dhe nevojave të vendit, në koordinim dhe konsultim të plotë me NATO-n”, thonë nga Kabineti i Presidentit, Stevo Pendarovski.
Ndryshe, Gjurçinovski mbrëmë theksoi se vendi do të fitonte shumë nëse e kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“Do të fitonim shkathtësimin e kuadrove për çfarëdolloj angazhimi në rast të zjarreve, vërshimeve, tërmeteve. Do të përgatiteshin në respektimin e hierarkisë, subordinim, shkathtësi të cilat ju gjeneratat më të moshuara i keni përfituar derisa keni kryer shërbimin ushtarak”, tha Gjurçinovski.