Trençevska deklaroi se kopshtet për fëmijë do të jenë të furnizuara vazhdimisht me ngrohje dhe energji elektrike
Minsitrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, sot deklaroi se prindërit, të cilët i dërgojnë fëmijët në çerdhe nuk duhet të kenë frikë për çështjen e ngrohjes, sepse në kopshte do të ketë energji elektrike, transmeton Portalb.mk.
“As prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhe, sidomos në Shkup, por as nëpër komuna nuk duhet të kenë frikë se mund të vije ndonjë rast kur të mos ketë ngrohje në çerdhe. Ngrohje do të ketë edhe për qytetarët edhe për kopshtet, sepse Qeveria është përgjegjëse dhe kujdeset për qytetarët dhe ne jemi duke e menaxhuar krizën energjetike dhe atë të ngrohjes. Të mos kihet frikë, sepse ngrohje do të ketë, edhe nëpër shtëpi, edhe në kopshte.”, tha ministrja Trençevska.
Sipas saj, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për faktin se kopshtet paguajnë fatura të mëdha të energjisë elektrike. Ata, tha ministrja, paguajnë energji elektrike si amvisëritë. Krahas kësaj, theksoi ministrja, një pjesë e madhe, veçanërisht kopshtet e ndërtuara nga viti 2019 e në këndej, janë energjetikisht efikase dhe kursejnë energji elektrike.
Në deklaratën e saj për media, Trençevska përkujtoi se MPPS-ja i mbulon pagat dhe një pjesë të shpenzimeve nëpër çerdhe me bllok subvencione, por se ato gjithashtu gjenerojnë edhe me të ardhurat e veta.
“MPPS është përgjegjëse përmes bllok-granteve për mbulimin e pagave të të gjithë punonjësve në kopshte, si dhe për ndërtimin dhe rinovimin e kopshteve në nivel të të gjithë vendit. Përveç bllok-granteve për paga, ne transferojmë mjete edhe për shpenzime materiale. Megjithatë, kopshtet kanë edhe fondet e tyre nga pagesat shtesë të prindërve, që i dërgojnë fëmijët në kopshte. Kështu që përgjegjësia për pagesat e shërbimeve komunale, përfshirë edhe faturat e energjisë elektrike, duhet të jetë përgjegjësi e themeluesit të kopshtit, që është komuna”, tha Trençevska .
Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pati deklaruar se, edhe pse furnizimi i shkollave me energji elektrike është kompetencë e komunave, megjithatë, po bëhen përpjekje që të ndihmohen shkollat fillore dhe të mesme në këtë drejtim, në mënyrë që mësimi në periudhën e dimrit të mbahet me prezencë fizike.
- LEXO: Kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe politikat qeveritare: tajmingu, shtrirja dhe targetimi
- LEXO: RMV, prej sot fillon kursimi shtatëmujor i energjisë elektrike në amvisëri, institucione publike dhe komuna
- LEXO: Bekteshi: Po bëjmë përpjekje që t’u ndihmojmë shkollave të kenë ngrohje dhe mësim të rregullt
- LEXO: Javën e ardhshme do të dimë prej ku do të furnizohet energji elektrike, paralajmëroi Bytyqi