RMV, shkolla e mesme teologjike ortodokse dhe medreseja nën ombrellën e shtetit

Shkolla e mesme teologjike ortodokse dhe shkolla e mesme islame të jenë pjesë e sistemit shtetëror, të financohen nga buxheti dhe programi i tyre të jetë nën kontrollin e institucioneve, parashikohet në projektligjin, i cili javën e kaluar u fut në seancën e Komisionit për Arsim në Kuvend,
Seanca nuk u mbajt, kështu që propozimi i grupit parlamentar të BDI-së nuk ka hyrë në rend dite, por mbetet për seancën e radhës, thonë nga partia, raporton Prizma.

Zakonisht, sa herë që shtrohet ndonjë temë që ka të bëjë me religjionet dhe arsimin, siç është përfshirja e mësimeve fetare në shkollat fillore apo hyrja e fakulteteve fetare në sistemin shtetëror në vitin 2008, shtrohet edhe çështja e shkeljes së sekularizmit të shtetit.

Ish-ministri i Arsimit, Arbër Ademi, i cili tani është koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, është i pari që e ka nënshkruar projektligjin, i pyetur nga BIRN nëse kjo është shkelje e sekularizmit, këmbëngul se nuk është ashtu.

“Zgjidhje të tilla ekzistojnë edhe në vende të tjera që janë laike”, ka pohuar Ademi, pa specifikuar se në cilat vende.

Ndryshe, tani dy shkollat e mesme, ajo e kishës ortodokse maqedonase dhe medreseja e bashkësisë fetare islame nuk njihen nga shteti. Ata që shkollohen atje, në pjesën më të madhe mësojnë lëndë fetare, nuk marrin nota dhe në fund nuk marrin diplomë të njohur dhe të pranuar nga shteti që do t’u mundësonte regjistrimin në fakultet. Ky ligj, nëse miratohet, do t’u lejojë që të regjistrohen si në fakultetet fetare, ashtu edhe në ato ku studiohen shkencat shoqërore dhe humaniste.

Projektligji parashikon që kurrikula në këto shkolla të përbëhet nga 55 për qind e programeve për arsimin e mesëm dhe 45 për qind e lëndëve për edukimin fetar, pra të jenë të paktën 18 lëndë nga kurrikulat e arsimit të mesëm.

“Është i njëjti raport që kanë programet në shkollat e tjera teknike, si për shembull në bujqësi”, thotë Ademi.

Kurrikula aktuale e postuar në faqen e internetit të shkollës së mesme të teologjisë rendit mësimin për pesë vjet, që është kohëzgjatja aktuale e arsimit atje.

Në program, përveç gjuhëve që mësohen në shkollat e tjera të mesme, janë edhe lëndët informatikë, teoria e muzikës, psikologjia dhe logjika, historia dhe pedagogjia. Të tjerët janë të lidhura ekskluzivisht me Ortodoksinë, kurse shkencat natyrore nuk mësohen.

Në medresenë “Isa Beg” në Shkup, zhvillohet arsimi i mesëm katërvjeçar dhe gjatë kësaj kohe nxënësit kanë gjithsej 30 lëndë.

Ndryshe nga shkolla e mesme teologjike, në medrese tashmë mësohen lëndë si biologjia, kimia, fizika, matematika e të tjera.

Çfarë do të mësohet, pasi të bëhen shkolla publike, sipas projektligjit, shkollat do të propozojnë programet, që më pas do t’i dërgohen Ministrisë së Arsimit, e cila do t’i miratojë ato, ndërsa këtë do ta bëjë pasi të marrin mendim nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Ndryshe, futja e shkollave të mesme fetare në sistem është temë e vjetër. Këtë çështje e kanë trajtuar disa ministra të arsimit.

Propozim të ngjashëm pat edhe në vitin 2009, një vit pasi fakulteti i ortodoksisë dhe ai islam hynë në sistemin shtetëror. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Pero Stojanovski, formoi një grup punues, i cili duhej të përcaktonte mënyrën se si do të funksiononin shkollat fetare.

Kjo asokohe nuk u realizua. Më pas tema u aktualizua sërish në vitin 2015 dhe ministri i atëhershëm Abdulaqim Ademi u përpoq të hartonte një ligj përmes takimeve me bashkësitë fetare, por zgjidhje nuk u arrit sërish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button