Gratë e Rajonit të Pollogut, të vetmet në vend pa strehimore për viktimat e dhunës (Video)

Gratë viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore në rajonin e Pollogut nuk kanë strehimore për t’u strehuar. Ky rajon është i vetmi në Maqedoninë e Veriut nga tetë rajonet planore i cili nuk ka strehimore të tillë. Mungojnë edhe shërbimet e tjera të specializuara. Institucionet, si ato qendrore por edhe ato lokale deri më tani nuk kanë bërë mjaftueshëm në këtë drejtim. Ekspertët e fushës alarmojnë se strehimorja duhet të krijohet sa më parë, pasi nevoja për të është urgjente, shkruan Portalb.mk.

Institucionet e vendit, nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur gratë viktima të dhunës nga rajoni i Pollogut, qoftë ajo në familje apo me bazë gjinore. Deri më tani, statitiskat tregojnë për numër të madh të rasteve të dhunës.

Ndonëse vendi është nënshkruese e Konventës së Stambollit, duke anashkaluar Pollogun, nuk respekton obligimet që rrjedhin nga kjo konventë si dhe as ligjet nacionale sipas të cilave, shteti obligohet që grave viktima të dhunës në familje t’ju sigurojë strehim, qoftë në bazë të Ligjit për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (2021) apo Ligjit për Mbrojtjen Sociale. Rajoni i Pollogut është shembulli konkret ku shihet se zbatimi i dispozitave nga pikat e lartpërmendura nuk implementohet në praktikë.

Ana Avramovska, këshilltare juridike në Rrjetin Nacional kundër dhunës ndaj grave dhe asaj në familje shprehet se nevoja për rritjen e shërbimeve të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje është shumë e rëndësishme.

“Vendi ynë ka nënshkruar Konventën e Stambollit e cila duhet të sigurojë akses në shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës. Përfundimet tona kryesore janë se dhuna ndaj grave dhe në familje në këtë moment nuk janë prioritet i komunave të Pollogut. Në rajonin e Pollogut nuk ka asnjë strehimore, nuk ka qendër për kriza për intervenim, nuk ka linjë kombëtare sos në të gjitha gjuhët që të jetë në qasje 24 orë”, thekson Avramovska.

Rajoni i Pollogut është rajon i cili ngërthen nëntë komuna dhe numëron rreth 300 mijë banorë. Sipas një analize të kryer nga Qendra e grave për mbështetje, sipas standardeve minimale, për 50 mijë banorë duhet të ketë një qendër këshillimore për gratë viktima të dhunës në familje, për 100 mijë banorë duhet të ketë një qendër strehimi dhe për 150 mijë banorë një qendër për ndërhyrje gjatë krizave.

Ky rajon ka vetëm dy qendra ndër-komunale për punë sociale në Tetovë dhe Gostivar.

Deri vonë, ky rajon nuk ka pasur as qendër këshilluese për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe në bazë gjinore.

Në mungesë strehimores, në rajonin e Pollogut tani ka vetëm dy qendra këshillimore për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, por që nuk janë të mjaftueshme.

Njëra është e udhëhequr dhe e financuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) e cila nuk plotëson standardet minimale të vendosura nga Këshilli Evropian. Ndërsa tjetra është këshillimorja e themeluar nga Rrjeti Nacional kundër dhunës në familje në bashkëpunim me Qendrën “Cortex” e cila u hap nëntorin e vitit të kaluar dhe financohet me përkrahje nga Ambasada e Norvegjisë dhe donatorë të tjerë.

Këshillimorja “Cortex”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Cortex” së fundmi kreu edhe një analizë për situatën faktike në teren në Pollog me dhunën në familje dhe asaj ndaj grave, ku disa nga rezultatet janë si më poshtë:

  • Në vitin 2020 dhe 2021 në Qendrën ndër-komunale për punë sociale në Tetovë janë regjistruar 105 raste të dhunës në familje, për të cilat janë evidentuar 80 gra viktima (76.19%) dhe 85 burra kryerës (80.95%). Te më shumë se 90% të rasteve të paraqitura të dhunës familjare, dhuna ndodh mes bashkëshortëve ose partnerëve jashtëmartesorë.
  • Në vitin 2020 dhe 2021 në Qendrën ndër-komunale për punë sociale në Gostivar janë evidentuar gjithsej 58 raste të dhunës familjare, nga të cilat më tepër se 90% gratë janë viktima.
  • Në vitin 2020 në SPB Tetovë janë regjistruar 96 vepra penale nga fusha e dhunës familjare, nga të cilat 74 vepra janë në Komunën e Tetovës dhe 22 në Komunën e Gostivarit. Janë paraqitur 91 kryerës nga gjinia mashkullore (që paraqet 85.84% nga numri i përgjithshëm i kryerësve) dhe 80 gra viktima (që paraqet 76.29% nga numri i përgjithshëm i këtyre veprave penale).

Portalb.mk vizitoi këtë këshillimore për t’u njohur më tepër me problematikën në fjalë.

Duke iu referuar të dhënave të lartpërmendura nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, nevojën e menjëhershme për krijim të strehimores në këtë rajon e bazuar në këto të dhëna e thekson edhe psikoterapistja nga “Cortex, Nebahate Imeri-Ziberi.

“Nevoja është e pakontestueshme për arsye se Pollogu është rajoni i vetëm te i cili mungojnë shumë shërbime të specializuara e veçmas strehimorja e cila është një nevojë e paevitueshme e kohës. Pasi vetëm në këshillimoren tonë kemi një numër të lartë të grave dhe fëmijëve që marrin shërbime të specializuara dhe fatkeqësisht nevoja për t’i strehuar në rast se u rrezikohet jeta e tyre nga dhunuesi është e detyrueshme që ne t’i transferojmë ato në një qytet të Maqedonisë Lindore në Shkup apo ndonjë vend tjetër ku ka vend të lirë”, tha Ziberi-Imeri.

Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në mungesë të strehimores në këtë rajon, gratë viktima duhet të transferohen në qytetet tjera. Kjo nënkupton se ata duhet të ndryshojnë mjedisin e jetesës e cila pasohet me efekte të tjera negative. Ndërsa strehimoret në rajonet tjera, kanë kapacitete të vogla.

Nëse rajoni i Pollogut edhe institucionet përkatëse, sidomos kryetarët e komunave të gjithë rajonit të Pollogut sipas psikoterapistes ZiberiImeri të shfaqnin pak interesim për këtë dukuri, rajoni i Pollogut nuk do ishte lënë në mjerim.

“Gratë viktima të dhunës në familje përkrahjen institucionale nuk e kanë atë që u nevojitet”, thekson ajo.

Rastet e dhunës me të cilat merren në këtë këshillimore janë nga më të ndryshmet.

Më e shpeshtë është paraqitja kur grave u rrezikohet shëndeti fizik kur përjetojnë dhunë fizike, shumë rrallë arrijnë ta paraqesin dhunën psikologjike ndoshta ndonjëherë  edhe nuk e detektojnë, por e përjetojnë.

Gratë shfrytëzuese të shërbimeve janë ato të cilat kanë përjetuar lloje të ndryshme të dhunës, duke filluar nga abuzimet seksuale, ngacmimet seksuale, dhuna fizike, dhuna psikologjike, dhuna ekonomike, rastet janë nga më të ndryshmet. Kemi edhe raste të komplikuara.

Këshillimorja “Cortex”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përveç grave, aty shërbime marrin edhe fëmijët viktima të dhunës.

Këshillimorja “Cortex”, si projekt financohet nga donatorë të jashtëm dhe rrezikon funksionimin e saj.

“Kur e dimë se është vetëm projekt e dimë se kohëzgjatja është me një afat të caktuar edhe fatkeqësisht nëse ne nuk gjejmë pas janarit të vitit 2023 donatorë të cilët do shfaqin interes për të vazhduar qëndrueshmërinë e kësaj qendre. Këto gra të cilat i marrin shërbimet e specializuara nuk do mund të vazhdojnë ti marrin të njëjtat për arsye se institucionet përkatëse, siç janë komunat e rajonit të Pollogut nuk kanë shfaqur interesim që në planin e tyre social të ndajnë buxhet për këtë kategori, as në planet e tyre sociale nuk i kanë të  theksuara si kategori  speciale përveç Komunës së Gostivarit dhe Tetovës, tjerat nuk kanë as plan social”, theksoi Ziberi-Imeri.

Këshillimorja “Cortex”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qeveria e RMV-së e ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit për periudhën 2018-2023.  Sipas dinamikës së punës, deri në vitin 2021 në shtatë rajonet e vendit janë krijuar 13 strehimore për përkujdesjen e grave viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. I vetmi rajon që deri më tani është pa strehimore është ai i Pollogut.

Ministria kompetente, ajo e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) thekson se deri në fund të vitit 2023 edhe në rajonin e Pollogut do të krijohet strehimore.

“Sipas zbatimit të Planit të Veprimit, rajoni i tetë planor mbulohet në periudhën 2022-2023, me të cilin Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të krijojë shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje në rajonin e fundit planor në vendit”, thanë nga MPPS.

Ndërkaq për mbrojtjen e dhunës gjinore dhe asaj në familje, detyrime kanë edhe komunat sipas Ligjit të ri për parandalim dhe mbrojtje të grave nga dhuna familjare i miratuar vitin e kaluar.

nenin 21 të Ligjit parashihen autorizimet që kanë njësitë e vetëqeverisjes lokale në këtë drejtim. Mes të cilave Komunat duhet të hartojnë programe dhe politika lokale për mbrojtje të grave viktima të dhunës me bazë gjinore, të implementojnë masa preventive, të krijojnë strehimore dhe të tjera.

Psikoterapistja Ziberi-Imeri, për të disatën herë apelon te autoritetet dhe te komunat të merren seriozisht me këtë problem, pasi ai është ekzistues the shumë i theksuar.

“Nevoja për të ndarë buxhet financiar që qëndrueshmëria e kësaj këshillimore të jetë afatgjatë dhe që të mund shërbimet tona  që janë falas t’i  shfrytëzojnë këto gra. Ato duhet  me patjetër të ndajnë buxhet pasi me  ndryshimin e ligjit të ri u takon edhe komunave që të ndajnë buxhet për këtë kategori të ndjeshme sociale. Andaj, i lus të gjithë nëse e dëgjojnë rastësisht, të gjithë kryetarët e komunave të Pollogut, është momenti më i duhur i mundshëam që ato të vetëdijesohen dhe sensibilizohen pasi kjo dukuri nuk është vetëm në imagjinatën tonë, këto gra ekzistojnë, këto gra vijnë këtu dhe marrin shërbime dhe këto gra kanë të drejtë si të gjithë gratë të jetojnë jetën e tyre të lumtur dhe pa dhunë. I lus autoritetet të marrin masa që të mund në rajonin e Pollogut të kemi shërbime të specializuara ashtu siç kanë të gjithë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut”, apeloi ZiberiImeri.

Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mirëpo, komunat në këtë drejtim janë të angazhuara minimalisht. Edhe pse në Pollog ekziston Këshilli për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut ku kryetarët e komunave takohen për tema të ndryshme, kjo deri më tani nuk ka qenë temë diskutimi.

Përndryshe në Raportin Vjetor të “Amnesty International” në pjesën për dhunën ndaj grave dhe vajzave thuhet se misogjeneza dhe gjuha e urrejtjes janë rritur në RMV.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button