Në Maqedoninë e Veriut u paralajmërua rritja e dënimeve për dhunë ndaj kafshëve

Rritja e dënimeve për torturimin e kafshëve është një trend i përhapur kudo në botë, e gjithashtu edhe në vendin tonë,  që synon sensibilizimin e popullatës për kujdes më të madh ndaj tyre. Në Maqedoninë e Veriut, Drafti i Kodit të ri Penal për torturimin e kafshëve  parashikon rritje të dënimeve, si dhe zgjerim të nenit me “vrasjen e kafshëve”, pasi në Kodin Penal ekzistues, neni 233 i referohet vetëm “torturës së kafshëve”, shkruan TV 21, transmeton Portalb.mk. 

Në këtë nen të Kodit Penal në fuqi thuhet se “ai që dhunon rëndë një kafshë ose e ekspozon atë në vuajtje të panevojshme, ose e ekspozon në vuajtje për shkaqe abuzuese, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit”; si dhe “ai që duke mos e ushqyer kafshën, ose në ndonjë mënyrë tjetër e ekspozon kafshën në një situatë të vështirë për një kohë të gjatë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”.

Në ndryshimet e reja në Kodin Penal, në nenin 314 ,i cili quhet “vrasja dhe torturimi i kafshëve”, futet një paragraf i ri, sipas të cilit “ai që vret kafshën pa arsye të justifikuar ose e keqtrajton atë ose e ekspozon atë në vuajtje të panevojshme, ose i shkakton dhimbje të panevojshme ose e ekspozon në vuajtje për shkaqe abuzuese, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Me dënimin nga ky paragraf i nenit do të dënohet edhe ai që nuk e ushqen kafshën, ose në ndonjë mënyrë tjetër e ekspozon kafshën për një kohë të gjatë në gjendje të rëndë. Kushdo që e kryen veprën nga paragrafi i këtij neni për interes vetjak, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet, si dhe do t’i konfiskohen kafshët.

Një pjesë e aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve e mirëpritën këtë hap të ndërmarrë, i cili është një hap shumë afër trendeve botërore dhe Bashkimit Evropian.

Ata gjithashtu sugjeruan që për model të merren edhe ligjet e Greqisë, që parashikojnë dënim maksimal deri në 10 vjet burg dhe dënim me gjobë nga 10.000- 15.000 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button