Problemi me mbledhjen e mbeturinave në Komunën e Tearcës, u përzgjodh koncesioner i ri

Banorët e Komunës së Tearcës me vite përballen me problemin e mos-mbledhjes së mbeturinave në kohë nga ndërmarrja e cila menaxhonte me to. Situata ishte më kritike muajt e fundit ku mbeturinat nuk mblidheshin me javë. Për këtë problem, Komuna e Tearcës njoftoi se kanë lidhur kontratë me kompani tjetër, shkruan Portalb.mk.

Komuna njofton se muajin e kaluar, ka lidhur kontratë për koncesion për menaxhimin e mbeturinave komunale me kompaninë “Eko V-S Building”-Bogovinë, e cila vlen deri në vitin 2034.

“Kompania private është e obliguar që të lidhë kontratë me çdo person fizik dhe juridik dhe t’ju ofrojë pajisje për mbeturinat pa pagesë edhe atë, kosh prej 120 litrave ose kontejner prej 1100 litrave. Obligohen të gjithë personat fizikë (amvisëritë) dhe juridikë, që të lidhin kontratë me kompaninë private dhe të pajisen me kosh ose kontenjer për mbeturina, në të kundërtën do të merren masa në përputhje me dispozitat ligjore”, njoftuan nga kjo komunë.

Çmimi për kosh prej 120 litrash është 270 denarë në muaj me TVSH ndërsa çmimi për kontejner prej 1.100 litra është 2. 475,00 denarë në muaj me TVSH.

Ndërkaq plani dinamik i koordinuar me kompaninë për grumbullim e mbeturinave është si vijon:

  • E hënë-Tearcë
  • E martë-Neproshten dhe Leshkë
  • E mërkurë-Përshevcë
  • E enjte-Nerasht dhe Odri
  • E shtunë- Dobrosht dhe Glogjë
  • E diel-Sllatinë

Në të kaluarën, kompania e cila menaxhonte me mbeturinat kanë pasur problem administrative dhe teknike me Komunën e Tearcës në lidhje me koncesionin, pasojat e të cilës i ndjenin qytetarët ku nuk ju merreshin në kohë mbeturinat.

Në Komunën e Tearcës deri tani vetëm 52 % të amvisërive e shfrytëzojnë shërbimin për menaxhim me mbeturina. Numri i shfrytëzuesve të shërbimit çdo vit ritet, por në përqindje të vogël.

Sasia tjetër e mbeturinave e cila gjenerohet nga amvisëritë të cilët nuk janë shfrytëzues të shërbimeve deponohet në mënyrë të pa kontrolluar në deponitë e egra.

Komuna e Tearcës nuk disponon me deponi për mbeturina. Mbeturina e grumbulluara transportohen në deponinë “Rusino” në Gostivar.

Menaxhimi me mbeturina vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur për të gjitha Komunat e Pollogut dhe jo vetëm. Në Maqedoninë e Veriut, për 17 vjet nuk mund të ndërtohet asnjë deponi rajonale sipas standardeve të BE -së, në të cilën përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara do të përzgjidhej dhe riciklohej, kompostohej ose digjej.

Sot në Maqedoninë e Veriut, ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh çfarë në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button