Gjykata Kushtetuese nuk inicoi procedurë për “punën ditën e dielë”
Gjykata Kushtetuese sot mbajti seancën e 28-të me rend dite në të cilën u diskutuan tre raporte, përfshirë raportin i cili trajton “punën të dielën”. Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim për këtë rast për shkak të shumicës së pamjaftueshme të votave, gjegjësisht njëri nga gjyqtarët në seancën publike ka deklaruar se nuk do ta mbështesë raportin. Propozimi në këtë rast ishte “të mos inicohet procedura”, që do të thotë se Ligji duhet të mbetet në rend juridik, gjegjësisht të dielën të mbetet ditë jopune, përveç në aktivitetet për të cilat ka përjashtim dhe të cilat janë parashikuar me këtë ligj, transmeton Portalb.mk.
“Në nismë thuhet se ditë pushimi javor mund të jetë çdo ditë tjetër e javës, se është shtesë pagash për punën të dielave në masën së paku 50 për qind për çdo orë të kaluar në punë dhe për këto arsye lejohet pabarazia e qytetarëve para ligjeve. Nisma përmban pretendime se me këtë zgjidhje ligjore, punëdhënësit nga veprimtaritë ekonomike që u ndalohet të punojnë të dielave (produkte minerale jometalike) kanë pozitë të barabartë juridike përsa i përket pagimit të taksës dhe detyrimeve të tjera publike ndaj shtetit, të përcaktuara nga Ligji i vendosur në pozitë të pabarabartë juridike me punëdhënësit nga aktivitetet ekonomike të cilët lejohen të punojnë të dielave, nga pikëpamja e realizimit të të ardhurave dhe fitimit”, njofton Gjykata.
Parashtruesi konsideron se është shkelur parimi i sundimit të ligjit dhe se ligji i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 paragrafët 3 dhe 7 dhe nenin 9 paragrafi 2 të Kushtetutës.
“Parashtruesi e konteston Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës të publikuar në “Gazetën Zyrtare të RMV-së” nr. 288/21, në kundërshtim me lirinë dhe tregun e ndërmarrësisë, vlerat themelore dhe barazinë e qytetarëve. Ligji i kontestuar i referohet rregullimit të punës të dielën”, tha Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese punon me gjithsej pesë gjyqtarë nga nëntë që parashikon Kushtetuta dhe për marrjen e një vendimi nevojiten të paktën pesë, sa është numri total i gjyqtarëve për momentin.
Kuvendi më 20 dhjetor miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, me të cilin të dielën është shpallur ditë jopune, që ishte një nga kërkesat kryesore të Federatës së sindikatave të Maqedonisë. Me zgjidhjen e re ligjore, e diela do të jetë ditë jopune për 92% të punëtorëve.