Analizë e IFIMES: E ardhmja e shtetit u trasua, rrumbullakim i shtetësisë së Maqedonisë së Veriut

Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit IFIMES nga Lubjana, me rastin e 31-vjetorit të pavarësisë së vendit, përgatiti një analizë gjithëpërfshirëse të situatës aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk nga Frontline.mk.

Nga analiza i veçojmë pjesët më të rëndësishme

E ardhmja e shtetit e trasuar

Më 8 shtator, Republika e Maqedonisë së Veriut feston 31 vjet nga shpallja e pavarësisë.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Viti 2017 paraqet një pikë kthese në historinë moderne të Maqedonisë. Atë vit ra regjimi i Nikolla Gruevskit (VMRO-DPMNE), i cili në pushtet ishte nga viti 2006-2017 dhe u formua qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev (LSDM).

Me Marrëveshjen e Prespës, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras e mposhtën doktrinën e Sllobodan Millosheviqit dhe Konstantin Micotakisit, të cilëve parti të caktuara politike maqedonase u ndihmonin, kurse sipas kësaj doktrine ekzistenca e Maqedonisë si shtet dhe e maqedonasve si popull nuk ishte paraparë. Me anëtarësimin e plotë në NATO u realizua ëndrra shekullore e maqedonasve dhe e qytetarëve të tjerë, që të kenë shtetin e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin e të cilit e garanton aleanca më e madhe dhe më e fortë ushtarake në botë – NATO. Kjo i mposhti projektet e mëdha shtetërore që përfshinin ose kishin aspirata ndaj Maqedonisë së Veriut.

Me nënshkrimin e marrëveshjes në Prespë më 17 qershor 2018, u zgjidh mosmarrëveshja shumëvjeçare me Greqinë për emrin kushtetues. Emri i ri kushtetues i vendit është Republika e Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e nënshkruar konfirmoi vazhdimësinë shtetërore – juridike të Republikës së Maqedonisë, përkatësinë etnike të maqedonasve, njohjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas. U rrumbullakua shtetësia e Maqedonisë dhe u vërtetua identiteti i maqedonasve si popull me të gjithë elementet e tij. Marrëveshja e Prespës i përmban të gjitha elementet e nevojshme për të garantuar mbijetesën e Maqedonisë si shtet modern dhe i konfirmon veçoritë e maqedonasve si popull.

Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës. Dimitrov – Zaev – Cipras – Koxias

Rrumbullakimi i shtetësisë së Maqedonisë

Maqedonasit dhe vendi i tyre kaluan nëpër histori të trazuar në shekullin e kaluar. Kryengritja e Ilindenit u zhvillua në vitin 1903, si një nga datat më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1944 u mbajt Mbledhja e parë e ASNOM-it, në të cilën u hodhën themelet e Republikës Socialiste të Maqedonisë, e cila ishte njësi e barabartë federale në kuadër të Jugosllavisë federale. Me shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991, u mbajt referendum për pavarësi dhe u shpall Republika sovrane dhe e pavarur e Maqedonisë. Anëtarësimi në NATO më 27 mars 2020 është data e katërt e rëndësishme në historinë e maqedonasve dhe Maqedonisë si shtet modern. Ngjarja e pestë e rëndësishme është njohja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO).

“Kërcimi i kalit” është ende kërcënim për Maqedoninë

Për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Maqedonia e Veriut është udhëkryq i krimit rajonal dhe ndërkombëtar dhe për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e sigurisë-zbulimit po bëjnë përpjekje të mëdha për të shtypur krimin dhe korrupsionin në territorin e saj dhe krimin që kalon nëpër këtë shtet.

Kërcënim i madh ende është operacioni sekret i inteligjencës me emrin e koduar “Kërcimi i Kalit”, i cili synon rrëzimin e qeverisë aktuale dhe si synim përfundimtar e ka kthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) në Maqedoninë e Veriut. Struktura të caktuara vazhdojnë të punojnë intensivisht për destabilizimin e shtetit duke prodhuar vazhdimisht afera të shumta. Janë zbuluar dhe lokalizuar më shumë se 160 portale mediatike që prodhojnë lajme dhe afera të shumta (të rreme). Kompania, e cila i drejton ueb-faqet për mbështetje të partisë opozitare VMRO-DPMNE, është e lidhur me rrjetin televiziv publik hungarez Magyar Televizo (MTV), i cili është dashamirës ndaj Fidesz, partia në pushtet e kryeministrit Viktor Orbán. Ish-kryeministri Zoran Zaev (LSDM) dhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski (LSDM) deri vonë ishin objektivi kryesor i operacionit të inteligjencës.

Në planin politik bëhen përpjekje për të bllokuar funksionimin e institucioneve, për shembull, VMRO-DPMNE opozitare ka dorëzuar jo më pak se 2.000 amendamente për ligje të caktuara ose e bllokon emërimin e individëve në pozitat të lira, siç është Gjykata Kushtetuese. Ka gati një vit që VMRO-DPMNE e bllokon në Kuvend emërimin e ambasadorëve të rinj të Maqedonisë, duke ndikuar kështu që vendi të mos ketë ambasadorë të akredituar në kryeqytetet kryesore evropiane dhe në SHBA, në kohën kur nevoja për këtë është shumë e madhe. Kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme diplomatike në përpjekjet për të përmbushur ambiciet për anëtarësim në BE.

 

Bllokada e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga ana e VMRO-DPMNE-së, foto: Printscreen
Bllokada e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga ana e VMRO-DPMNE-së, foto: Printscreen

Përveç Zoran Zaevit, shënjestër e sulmit është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili vetëm për pak vite arriti ta organizojë MPB-në si më të mirën në rajon dhe zbuloi dhe shkatërroi rrjetet e disa shërbimeve të huaja të inteligjencës në territorin e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht ato ruse. Sulmet ndaj tij ishin projektuar si një lloj hakmarrjeje për punën e tij të suksesshme. Ministri Spasovski luajti rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues-juridik dhe të sistemit policor-gjyqësor në vend. Prandaj është e rëndësishme që të zgjidhet drejtor i ri kompetent i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), sepse sistemi i inteligjencës së sigurisë dhe sektori policor në Maqedoni gjenden përballë sfidave të mëdha.

Qendra e operacionit sekret të inteligjencës “Kërcimi i Kalit” është në Budapest dhe në të marrin pjesë disa liderë shtetërorë aleatë të Nikolla Gruevskit, kryesisht nga e djathta evropiane (radikale), pra Partia Popullore Evropiane (PPE). Kthimi i Gruevskit në Maqedoninë e Veriut dhe kthimi i tij në pushtet ishin planifikuar sepse kishin gjykuar që për shkak të shumicës së ngushtë parlamentare, qeveria aktuale mund të rrëzohej shpejt duke krijuar atmosferë kaosi. Përse aleanca e NATO-s toleron aktivitetet e tilla të shërbimeve të inteligjencës të disa prej shteteve të saj anëtare në Maqedoninë e Veriut, që nuk janë të drejtuara vetëm kundër interesave kombëtare të shtetit anëtar sovran, por edhe kundër interesave të vetë NATO-s?

Degruevizimi i shtetit është proces afatgjatë dhe i domosdoshëm

Në shkurt të vitit 2015, në opinion shpërtheu skandali i përgjimeve, në të cilin Shërbimi Sekret i Maqedonisë (SHSM) përgjonte në mënyrë të fshehtë dhe të paligjshme rreth 26 mijë persona në një vend me gjithsej 1,65 milionë banorë. Sipas përllogaritjeve, regjimi i Gruevskit ka nxjerrë jashtë shtetit mbi pesë miliardë euro, ndërsa biznesmenët detyroheshin t’i paguanin regjimit “reket”. Rregullisht prodhoheshin konflikte ndëretnike, të cilat sillnin pasiguri dhe frikë te qytetarët. Gruevski dhe individëve rreth tij u pasuruan tepër.

Nikolla Gruevski
Nikolla Gruevski

Në kohën e regjimit të Nikolla GruevskiSasho MijallkovOrce Kamçev, në Maqedoninë e Veriut u formua qendër joformale e pushtetit, e cila ishte simbiozë e politikës, manjatëve dhe mafisë me mbështetjen e nëntokës së inteligjencës që praktikisht sundonte në këtë vend. Pas rënies së regjimit, qeveritë e Maqedonisë kanë pas pushtet vetëm pjesërisht, sepse nuk arritën të tejkalojnë plotësisht qendrat informale të pushtetit dhe të shkatërrojnë regjimin Gruevski-Mijallkov-Kamçev, i cili duke pas në dispozicion shuma të mëdha parash vepron në mënyrë subversive kundër qeverisë, për përmbysjen e saj dhe kthimin e Maqedonisë së Veriut në gjendjen e vjetër.

Degruevizimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka të bëjë vetëm me përballjen me shkaqet dhe pasojat e regjimit të Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së, por është proces afatgjatë i shpërbërjes së atij regjimi, i cili ende është në mënyrë kapilare i pranishëm në të gjitha segmentet e shtetit dhe shoqërisë në Maqedoni. Këtu, përveç sistemit të drejtësisë, rëndësi ka edhe veprimi dhe aktivizimi më i gjerë shoqëror për heqjen e pasojave të dëmshme të qeverisjes 11-vjeçare të Gruevskit. Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë mundur të shmangin përgjegjësinë dhe ndjekjen penale për gjithçka që është bërë në qeverisjen e tyre 11-vjeçare. Gruevski, edhe pse është në mërgim në Hungari dhe nën mbrojtjen e kryeministrit hungarez Viktor Orbán (Fidesz), sërish përpiqet të ndalojë proceset pozitive politike. Për Gruevskin dhe bashkëpunëtorët e tij janë shqiptuar disa aktgjykime të plotfuqishme, me të cilat janë dënuar me burgim të gjatë. Në përgjithësi, nuk është e mundur të sigurohet përparim i përgjithshëm pa rënien e regjimit të Nikolla Gruevskit dhe oktapodit financiar-kriminal dhe bankar të Orbanit në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e trashëgoi Gruevskin, ende nuk ka arritur të reformojë partinë, sepse në VMRO-DPMNE ka rezistencë ndaj reformave, veçanërisht nga kuadrot e Gruevskit, gjë që dëmton dhe komplikon pozitën e Mickoskit dhe të vendit edhe në skenën politike ndërkombëtare.

“Ballkan i Hapur”

Më 9 tetor 2019, në Novi Sad, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq (SNS), kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev (LDSM) dhe Edi Rama (PS) nënshkruan një Deklaratën e Synimeve për të krijuar një “Shengen të vogël” ndërmjet tre vendeve. Deklarata e përbashkët përfshinte heqjen e kontrolleve kufitare dhe barrierave të tjera për lëvizjen më të lehtë në rajon, të cilat do t’u lejojnë qytetarëve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim, si dhe të punësohen kudo nëse kanë certifikatë për kualifikimet e tyre, gjegjësisht leje unike pune. Deklarata parashikon njohjen e diplomave, si dhe bashkëpunim më të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndihmë në rast të fatkeqësive natyrore.

Aleksandar Vuçiq - Dimitar Kovaçevski - Edi Rama, foto: Suad Bajrami
Aleksandar Vuçiq – Dimitar Kovaçevski – Edi Rama, foto: Suad Bajrami

Të gjitha rezultatet që janë arritur, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe bashkëpunimit ekonomik të vendeve që janë pjesë e Ballkanit të Hapur – qarkullim më i shpejtë i njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, rritje e të gjithë treguesve ekonomikë, bashkëpunim më i mirë dhe më gjithëpërfshirës politik, zgjidhja e shpejtë e të gjitha problemeve dhe mosmarrëveshjeve të ndërsjella nëpërmjet procesit të dialogut dhe pajtimit – janë dëshmi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë diçka për t’i ofruar BE-së, se duan, munden dhe dinë të bashkëpunojnë me BE-në dhe se duhet, qoftë formalisht dhe ligjërisht, të bëhen pjesë e komunitetit të popujve të vendeve evropiane ashtu siç kanë qenë në shekuj, pavarësisht se çfarë sfida dhe pengesa vendos para tyre politika dhe burokracia aktuale. Ballkani i Hapur është iniciativë rajonale, projekt rajonal, por nuk është zëvendësim i anëtarësimit në BE, as pandan apo ndonjë “çmim ngushëllimi” për vendet kandidate për anëtarësim në BE, e më së paku ndonjë lloj paradhome ose “dhomë pritjeje”.

Ballkani i hapur është, mbi të gjitha, një tjetër dëshmi shumë e fortë dhe cilësore e pjekurisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim të plotë në BE, që iu premtohet prej dekadash, kurse çdo moment iu nënshtrohet shtimit të kushteve. Ballkani i hapur është gjithashtu mundësi unike dhe përmbledhje e mundësive të shumta për zhvillim dhe përparim edhe më të madh të të gjitha vendeve të rajonit, në të gjitha fushat e jetës shoqërore, publike, ekonomike, kulturore, sportive, madje edhe politike në këto fusha ku gjithmonë ka qenë dhe është Evropa. Është model ballkanik, por, në thelb, më shumë është model evropian dhe mënyrë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët – të ardhme evropiane, pavarësisht të gjitha pengesat në rrugën drejt saj.

Ballkani i Hapur është i vetmi shans real për rajonin që të vazhdojë të ndryshojë, të luftojë për veten dhe të prezantohet dhe të dëshmohet në mënyrën më të mirë, sipas kritereve dhe standardeve të pranueshme të BE-së. Sigurisht që për Ballkanin e Hapur ka edhe sfida dhe teori si version i “botës serbe”, sepse Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe pjesërisht Mali i Zi e deklarojnë atë projekt si projekt të politikës serbe. Të tjerë konsiderojnë se bëhet fjalë për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe. Argumentet nga vendet e përmendura kushtëzohen kryesisht nga reagimet dhe veprimet e komunitetit ndërkombëtar, sepse nuk ka analiza të arsyetuara dhe qëndrime shtetërore se përse “Ballkani i Hapur” duhet të jetë “bota serbe”, “Shqipëria e Madhe” apo “Projekt i Sorosit”. Prandaj është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova t’i bashkohen Ballkanit të Hapur.

Analizat kanë treguar që nëse Ballkani i Hapur do të kishte qenë funksional përpara pandemisë kovid-19, vendet dhe i gjithë rajoni do të ishin përballur në mënyrë më adekuate dhe më të suksesshme me pandeminë e koronavirusit, si dhe me krizën energjetike dhe ushqimit që u shkaktuan nga invazioni rus në Ukrainë. Por edhe kështu, Ballkani i Hapur tashmë po sjell rezultate të pjesshme. Rëndësia e bashkëpunimit dhe solidaritetit është më e dukshme në rastet e fatkeqësive natyrore: zjarreve, tërmeteve, përmbytjeve etj.

Zaevi e trasoi rrugën e vendit drejt ardhmërisë

Paradigma integruese e kryeministrit Zoran Zaev (LSDM), politika “Zero” probleme me fqinjët dhe angazhimi i fuqishëm ndërkombëtar rezultuan me nënshkrimin e Marrëveshjes për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë, Ligjin për Përmirësimin e Përdorimit të Gjuhëve, Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, që mundësoi zhbllokimin e proceseve integruese euroatlantike. Anëtarësimi në NATO është konfirmim i rregullsisë së veprimit dhe suksesit historik, që do të thotë paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

Zaev e nxori vendin e tij nga izolimi dhe konfliktet shumëvjeçare me fqinjët. Në praktikë, u dëshmua se ndryshimet janë të mundshme dhe të domosdoshme. Ky është identifikimi politik demokratik i Zoran Zaevit. Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM-AO) u bë autoqefale. Filluan negociatat për anëtarësimin në BE. Nga momenti i ardhjes së Zoran Zaevit në pushtet, në vitin 2017, në atë vend nuk është regjistruar asnjë incident ndëretnik, që më parë ishin dukuri e rregullt në baza ditore. Sipas indekseve ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut është vendi më i sigurt në Ballkanin Perëndimor. Ndërtimi dhe zhvillimi i besimit dhe partneritetit me qytetarët është jashtëzakonisht i rëndësishëm, që karakterizohet me sloganet e qeverisë “Qeveri për qytetarët” dhe “Një shoqëri për të gjithë”. Kjo përfaqëson një kulturë të re politike në skenën politike të Maqedonisë, sepse qasja e re e kupton dhe e pranon opozitën si partner, jo si kundërshtar. Kjo, nga ana tjetër, paraqet risi dhe kulturë të re politike në skenën politike të Maqedonisë në rrethana kur merren vendime për çështjet kyçe kombëtare të Maqedonisë dhe të ardhmen e saj, e cila në radhë të parë ka të bëjë me anëtarësimin në NATO dhe BE.

Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, është shumë me rëndësi që të gjithë ata që e pengojnë ose nuk e njohin Marrëveshjen e Prespës, e cila solli paqe, stabilitet dhe prosperitet në Maqedoninë e Veriut, dhe ata që nuk e njohin dhe nuk e pranojnë emrin kushtetues të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të vendosen në listën e zezë të SHBA-së. Prandaj urdhri ekzekutiv është paralajmërimi dhe mesazhi i presidentit amerikan Xhozef Bajden për të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për autoritetet e Maqedonisë, që të intensifikojnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të kundërshtojnë dukuritë negative dhe individët të cilët mund të kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.

Analistët besojnë se Zoran Zaev, i cili ishte kryeministër deri para pak kohë, i ka vendosur themelet e rrugës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ardhmen. Ëndrrat e gjeneratave të maqedonasve dhe qytetarëve të tjerë janë realizuar, sepse për herë të parë në historinë moderne Maqedonia e Veriut e priti ditën e pavarësisë me realizimin e qëllimeve të saj strategjike. Procesi i demokratizimit dhe përparimit të Maqedonisë së Veriut është proces i pandalshëm. Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut e ka rrugën e shënuar drejt ardhmërisë, duhet të sigurojë vazhdimësinë e politikës aktuale, por edhe të zbatojë shumë nga reformat e nevojshme dhe të përballet me krimin dhe korrupsionin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button