Nxënësit me pengesa sërish pa asistentë arsimorë në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut

Prindërit e fëmijëve me pengesa, të cilët shkojnë në shkollën e mesme, që është nivel i detyrueshëm i arsimit, kanë vështirësi me sigurimin e asistentëve arsimorë. Nga MASH thonë se problemi do të zgjidhet me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, për të cilin askush nuk e di se kur do të miratohet. Ndërkohë, breza të tërë luftojnë me sistemin, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Edhe këtë vit 1 shtatori ishte problem për shumë prindër, fëmijët e të cilëve janë me zhvillim atipik e që duhej të fillonin shkollën e mesme. MASH-i për momentin nuk ka të dhëna për numrin e nxënësve me pengesa në shkollat ​​e rregullta, pasi siç thonë ata do të dihet në fund të muajit, kur i pranojnë raportet prej shkollave. Por edhe pa këtë, nxënësit e shkollave të mesme, që i takojnë këtij grupi, janë lënë në vete dhe në kurriz të mundësive të prindërve.

Nëse në fillore, së paku në letër, problemi i sigurimit të asistentëve arsimorë u zgjidh me miratimin e Ligjit të ri për arsimin fillor, për Arsimin e Mesëm nuk ka asnjë fjalë për miratimin e Ligjit të ri . Dhe më së shumti nga kjo vuajnë më të margjinalizuarit – nxënësit me pengesa.

Ndërsa të gjithë po i ngrenë supet lart, disa fëmijë thjesht nuk kanë kohë të presin, si Erato Kardulla, vajzë me autizëm, prindërit e së cilës dhjetë vjet më parë ishin ndër të paktët të cilët e ngritën zërin për këtë gjendje dhe luftuan që vajza e tyre të ndiqte mësimet në shkollë të rregullt. Sigurisht, kjo nuk ishte e lehtë në një shoqëri si kjo e Maqedonisë, por siç na tregon Domnika Kardulla, nëna e saj, lufta ia vlejti sepse Erato u pranua për mrekulli në shkollë.

Dita e parë e Eratos në shkollë të mesme

Por këtë shtator fillimisht, pasi mbaroi klasën e nëntë, ajo shkoi për të mësuar në një nga shkollat ​​e mesme për fëmijët me zhvillim atipik. E ëma thotë se kishin diskutuar për regjistrimin në një shkollë të mesme të rregullt, por ishin shqetësuar seriozisht se si vajza e tyre do t’ia dilte atje.
Prandaj, thotë ajo, në vend që të luftojnë sërish nga fillimi me të gjithë, si në fillim të shkollës fillore, vendosën të kursejnë shëndetin.

Kapak i të gjithave ishte problemi ende i parregulluar me sigurimin e asistentëve arsimorë për këta fëmijë, që varet nga miratimi i ligjit të ri për arsimin e mesëm. Erato vetëm në klasën e nëntë arriti të marrë një asistente nga shteti, por që tani sërish nuk do t’i takojë ta marrë.

“Çdo 1 shtator është një stres i madh për ne, pasiguri, çfarë do të ndodhë më pas, si do të jetë”. Dëshira jonë është që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet institucioneve dhe të shkojë pa probleme. Megjithatë jemi shumë të vetëdijshëm, pas kaq vitesh beteja si me gjendjen e fëmijëve tanë, ashtu edhe me sistemin, që nuk ka dëshirë të sinqertë, mirëkuptim të sinqertë nga asnjë institucion”, është e sinqertë Kardulla.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se problemi me asistentët arsimorë do të zgjidhet pasit të miratohet ligji i ri për arsimin e mesëm. Por nuk ka informacione se kur do të sillet. Për këtë ligj flitet me vite, por procedura është në fillim, që do të thotë se fillimisht duhet të hartohet draft i tekstit nëpërmjet dialogut me të gjithë të interesuarit dhe më pas të kalojë në debat publik. Më pas ai mund të kthehet për rishikim ose të kalojë si i tillë në seancë të qeverisë, pas së cilës do të duhet të miratohet nga deputetët në Kuvend. Kurse vetë Kuvendi është i bllokuar prej muajsh nga opozita, e cila në këtë mënyrë po përpiqet të detyrojë qeverinë të shpallë zgjedhje të parakohshme.

“Me hartimin e Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm, i cili është në proces, shërbimi do të futet edhe në shkollat ​​e mesme dhe ndërkohë për këtë qëllim do të angazhohen asistentë arsimorë për nxënësit e shkollave të mesme në shkollat ​​e mesme komunale përmes program për punë të dobishme komunale, i lidhur ndërmjet komunave, Qytetit të Shkupit, MASH-it, MPPS-së dhe UNDP-së si financues”, thuhet në përgjigjen e MASH-it për atë se kur nxënësit e shkollave të mesme të kenë asistentë.

Deklaratat qetësuese nga institucionet nuk do të thonë shumë për Nikollën, nxënës me sindromën Down, i cili është në vitin e tretë në shkollën e mesme të rregullt “Metodi Mitevski Brico” në Shkup. Siç shpjegon nëna e tij Suzana, vitin e parë e kanë kaluar online për shkak të pandemisë, të dytin ia kanë dalë të merrnin asistent nëpërmjet një projekti të Kryqit të Kuq, por këtë vit të gjithë po heqin dorë. Thotë se ka trokitur në çdo derë, por nuk ka pasur zgjidhje për problemin e asistentit për fëmijën e saj. Prandaj tani ka nisur të dërgojë letra në të gjitha institucionet përkatëse për të zgjidhur problemin e nxënësve të shkollave të mesme me zhvillim atipik.

“Të njëjtin problem e kemi tashmë tre vjet. Nuk e di nëse do të zgjidhet fare. Kur u miratua ligji për shkollën fillore… Nuk e di, nuk mund të kuptoj përse nuk e kanë miratuar edhe për shkollën e mesme. Pra, fëmijët e përfundojnë klasën e nëntë, çfarë do të bëjnë më pas. Duhet të bëjmë pauzë tre, katër, pesë vjet… kur mendojnë ta sjellin ligjin për arsimin e mesëm. Kaos”, thotë e revoltuar Stojanovska.

Nikolla i rregullon librat pasi kthehet nga shkolla

Si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm numri i nxënësve të regjistruar me zhvillim atipik është dukshëm më i lartë në shkollat ​​e rregullta sesa në shkollat ​​speciale. Kështu, vitin e kaluar në shkollat ​​e rregullta fillore janë regjistruar 911 fëmijë me pengesa, ndërsa në shkolla speciale kanë shkuar 672 nxënës. Në të njëjtin vit, në shkollat ​​e mesme të rregullta janë regjistruar 312 nxënës me pengesa, ndërsa në shkolla speciale 231. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në vend funksionojnë 4 shkolla të mesme speciale dhe 38 shkolla fillore speciale.

Profesoresha Jasmina Troshanska, e cila prej shumë vitesh është edukatore speciale, thotë se, pa mbështetje adekuate, fëmijët me zhvillim atipik nuk do të mund t’ia dalin lehtë në shkollat ​​e mesme. Sidomos nëse këtë mbështetje e kanë pranuar në shkollën fillore të rregullt dhe kanë pasur asistent arsimor. Prandaj ajo mendon se shkollat ​​i pranojnë këta fëmijë kryesisht për arsye humane, por nuk i kanë kushtet për këtë, para së gjithash nuk kanë kuadro të arsimuara. Ndaj, ajo nuk është e befasuar me problemin e sigurimit të asistentëve arsimorë, i cili vazhdon edhe këtë vit.

Thotë se nevojiten ndryshime sistemore, të cilat do të fillojnë para shkollës fillore dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë procesit arsimor. Ajo gjithashtu vë në pah se shumë shpesh bëhen gabime me rastin e përzgjedhjes së shkollës së mesme për shkak të mungesës së orientimit të duhur profesional.

“Nëse nuk është gati në shkollat fillore, në shkollën e mesme, është më e vështirë.  Qëllimi ynë është që përmes arsimit të mesëm t’i përgatisim fëmijët me zhvillim atipik që nesër të jenë qytetarë të pavarur të këtij vendi të vetë-mbështetur, të pavarur dhe të gjejnë punë”, thotë profesoresha.

Prandaj thotë se tani shteti po krijon raste sociale nga këto familje.

“Me faktin se familjeve nuk u sigurohet mbështetje që në fillim, një numër i madh i prindërve nuk punojnë, njëri prej tyre do të lërë punën për të ndihmuar me fëmijën etj. Në fillim kur fillon ky proces, familja është i varfëruar, humbet cilësia e jetës, ndryshon krejtësisht dhe me kalimin e viteve mendoj se bëhet edhe më e frikshme. Kurse shteti duhet të jetë përkrahje”, shpjegon Troshanska.

Deri në kohën kur gjërat do të shkojnë mirë, si Nikolla ashtu edhe Erato ka të ngjarë të përfundojnë arsimin e mesëm. Përshtypja e parë e Eratos për shkollën e mesme është “e kënaqshme”. Prindërit e saj tani janë në kërkim të një asistenti që do të duhet ta paguajnë vetë, gjë që nga ana tjetër kushton shumë para. Megjithatë, ata thonë se lufta vazhdon, por janë të vetëdijshëm se nga kjo mund të përfitojnë disa gjenerata të tjera.

“Jemi të vetëdijshëm se po ndërmerren disa hapa pioniere, por fëmijët tanë ndoshta nuk do të përjetojnë kurrë përfitimet e asaj që ne si prindër përpiqemi gjatë gjithë kohës. Ndoshta për disa breza të ardhshëm, ndaj shpresojmë se ndoshta do të jetë më mirë për ta”, është e sinqertë Kardulla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button