Pastrimi i lindanit në OHIS vazhdon, 250 tonelata mbetje janë të paketuara dhe presin eksportin

Pas një muaji pauzë, këtë javë do të rifillojë nxjerrja e lindanit nga deponia e vogël në OHIS. Në pjesën e parë të projektit për pastrimin e kësaj pike historikisht të nxehtë të ish-fabrikës kimike, që u financua nga UNIDO, u pastruan mbi 600 tonelata mbetje, nga të cilat mbi 470 tonelata kimikate të rrezikshme dhe 126 tonelata tokë e kontaminuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në pjesën e dytë të projektit, që financohet nga UNOPS me fondet e Fondit Mjedisor nga Shumë Partnerë i krijuar posaçërisht për të pastruar ndotjen në oborrin e OHIS-it, sasia e mbetur e lindanit në deponi, ku vlerësohet se ka rreth 7.000 tonelata mbetje, do të duhet të pastrohet dhe të eksportohet për shkatërrim në incenerator në Francë.

Pastrimi i deponisë së vogël filloi në prill të këtij viti, pasi gati vit u desh për të vendosur çadrën mbrojtëse, për të siguruar makineritë e nevojshme dhe për të realizuar trajnime për punëtorët që do të bëjnë pastrimin. Pjesa e parë e projektit zgjati tre muaj dhe deri më tani janë eksportuar 477 tonelata mbeturina, të cilat tashmë janë asgjësuar. Në atë periudhë janë paketuar edhe 126 tonelata tokë e kontaminuar, e cila është ende duke e pritur lejen për eksport në Holandë.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor bëjnë të ditur se lejet pritet të sigurohen deri në fund të muajit shtator. Eksporti i mbetjeve të rrezikshme do të bëhet radhazi, sepse inceneratori në Francë ka kapacitet të caktuar mujor të sasive që mund t’i pranojë për përpunim.

“Në rrethin e OHIS-it janë të paketuara rreth 250 tonelata mbetje, të cilat duhet të eksportohen gjatë javëve në vijim. Gërmimi dhe eksporti do të bëhet paralelisht gjatë muajve të ardhshëm”, informojnë nga ministria.

Deponia e vogël pritet të pastrohet brenda një viti. Gjatë kësaj periudhe, informojnë nga ministria, në mënyrë aktive po kërkohen mjete për të vazhduar me pastrimin e deponisë së madhe, për të cilën vlerësohet se përmban rreth 50.000 tonelata mbetje të rrezikshme. Pesticidi kancerogjen nga OHIS-i ndodhet edhe në një deponi të tretë në lokacionin Pelenica afër Draçevës.

Nga kjo pikë historikisht e nxehtë ekologjike, para fillimit të projektit në deponinë e vogël, janë nxjerrë edhe 64 tonelata rezerva të mbetura të një duzine tjetër kimikatesh të rrezikshme që gjithashtu kanë qenë të depozituara dhe janë ruajtur në rrethin e fabrikës për dekada. Brenda dy vitesh, në gjithsej shtatë eksporte të mbetjeve kimike, në Serbi janë eksportuar 81 shishe dhe një kontejner me klor, 16,7 tonelata mbetje të rrezikshme nga metanoli dhe monomer akrilo-nitrili, 17 tonelata mbetje të rrezikshme nga metanoli, 14 tonelata mbetje të rrezikshme të kimikateve me përbërje të panjohur, 4,2 tonelata iniciatorë dhe 5,3 ton mbetje kimike, gjegjësisht mbetje acide, alkoole dhe tretës, si dhe 13 tonelata monomer klorid vinili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button