Arsovska: Qyteti i Shkupit nuk do ta ndërpresë ndriçimin publik – do të ulim shpenzimet e energjisë elektrike, por jo në kurriz të qytetarëve

Secila komunë krijon masat e veta të kursimit, ka ekonominë e vet vendimmarrëse, ndërsa Qyteti i Shkupit tashmë ka miratuar masa afatgjata, si dhe plan për kalimin në burime alternative të energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë ka përpiluar udhëzime për të gjitha objektet që janë nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit se si duhet të funksionojnë, tha sot kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, duke folur para gazetarëve për planin gjithëpërfshirës për kursimin e energjisë elektrike me masa për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike, të cilën e përgatiti qyteti, transmeton Portalb.mk.

Arsovska theksoi se ky plan përfshin disa masa të ndryshme për kursimin e energjisë elektrike, por nënvizoi se këtë nuk do ta bëjë qyteti duke fikur ndriçimin publik në rrugë dhe bulevarde.

“Shkupi në asnjë kusht nuk do ta ndërpresë ndriçimin publik në rrugë dhe bulevarde, para së gjithash për shkak të mbrojtjes dhe sigurisë së qytetarëve të Shkupit. Do të bëjmë çdo gjë që të ulim shpenzimet e energjisë elektrike, por jo në kurriz të qytetarëve dhe jo duke e rrezikuar sigurinë e qytetit të Shkupit”, tha Arsovska.

Lidhur me ndriçimin publik, Arsovska theksoi se do të zvogëlohet intensiteti i dritave LED në 70 për qind, ndërsa ndriçimi do të menaxhohet në intervale kohore dhe do të ketë ndërrim në faza të ndriçimit me drita LED.

“Një pjesë e masave të kursimit përfshijnë kursimin duke ulur intensitetin e ndriçimit publik, deri në maksimum 70 për qind, zëvendësimin me faza dhe përdorimin e llambave LED në vend të atyre të zakonshme apo fluoreshente, përdorimin racional të pajisjeve elektrike në secilin prej objekteve në ndërmarrjet publike, si dhe zvogëlimin e të gjitha shpenzimeve joproduktive të Qytetit të Shkupit në zero, gjegjësisht ndalimin e praktikës së blerjes së mallrave luksoze”, tha Arsovska, duke folur për një pjesë të masave të kursimit të qytetit.

Kryetarja gjithashtu theksoi se në afat të gjatë është rekomanduar vendosja e mbrojtjes termike adaptive dhe integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në mënyrë që të vendosen panele diellore në objektet që janë nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit.

Ndryshe, më 16 gusht Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë miratoi një pako rekomandimesh për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike dhe termike në vendin tonë, me qëllim që siç njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për të pasur një dimër të sigurt për të gjithë. Ndër to ishte edhe fikja e ndriçimit publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button