Vetëm një ekip shqiptar do të marrë pjesë në garat evropiane gjatë sezonit 2022/23
Ekipi i Ballkanit nga Kosova dhe Shkëndija e Tetovës sot kanë zhvilluar ndeshjet kthyese në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për në Conference League, ku vetëm ekipi nga Kosova arriti të kalojë këtë fazë, transmeton Portalb.mk.
Klaksvik u eliminua nga Ballkani pas ekzekutimit të penalltive, 3-4. Fituesi u përcaktua përmes penaltive, pasi në ndeshjen e parë në Prishtinë vendasit fituan me rezultat 3-2, ndërsa sonte si mysafir humbën nga Klaksviku me rezultat 1-2.
Ballkani i Suharekës në sfidën e fundit për kualifikim në gara evropiane do të ndeshet me ekipin e Shkupit. Në këtë fazë do të luhen dy ndeshje, ekipi me rezultatin e përgjithshëm më të mirë do të luajë përfundimisht në Conference League.
Ndeshja e parë do të luhet në Shkup me 18 gusht, ndërsa ndeshja kthyese në Prishtinë më 25 gusht.
Ndryshe, ekipi i Shkëndijës u eliminua nga garat evropiane pas rezultatit jo të mirë me ekipin e AIK-it. Të dy ndeshjet mbaruan me rezultat të njëjtë (1-1), ndërsa në penalti Shkëndija u tregua më e dobët.