RMV, rritet numri i personave të cenueshëm social në mesin e të papunëve (Infografik)

Kaluan gati dy vjet nga zbatimi i projektit “Aktivizimi i grupeve të cënueshme në tregun e punës”, dhe që atëherë e deri më sot, sipas të dhënave të Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), janë përpunuar 3.075 plane individuale për aktivizim të qytetarëve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Projekti realizohet nga Agjencia  për punësim në bashkëpunim me qendrat për punë sociale dhe qendrat e punësimit në komunat në nivel RMV-së.

Hartimi i një plani individual është hapi i parë që ndërmarrin qendrat dhe Agjencia për hapjen e një procesi dhe qasjen ndaj një personi – përfitues i ndihmës minimale të garantuar (NMG), që më vonë parashikon veprimet që duhet të ndërmerren, me qëllim që personi më shpejt të integrohet në tregun e punës.

Në periudhën kur filloi të zbatohej ky projekt, në shtator 2019, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vend ishin 13.361 të papunë dhe 47.434 qytetarë joaktivë që përfitonin ndihmë sociale. Numri në dy vitet e ardhshme rritet ndjeshëm dhe në vitin 2020 dyfishohet numri i të papunëve që përfitojnë ndihmë sociale, pas së cilës në vitin 2021 ishin 26.964 persona të papunë dhe 52.445 persona joaktivë nga kjo kategori.

Sipas Agjencisë për punësim, në periudhën dyvjeçare nga fillimi i programit janë aktivizuar 1400 persona, të ndarë në dy programe përmes të cilave realizohet projekti. Gjegjësisht, 1.108 persona ishin pjesë e Programit të këshillimit dhe mentorimit, ndërsa 329 ishin përfshirë në programe dhe masa aktive punësimi, si subvencionimi i pagave, trajnimi për profesionet që kërkohen në tregun e punës dhe praktikimi.

Nga APRMV thonë se Programi për këshillim dhe mentorim synon të motivojë përfituesit e ndihmës së garantuar minimale, dhe përmes këshillimit, inkurajimit dhe mbështetjes, duke filluar nga procesi i aktivizimit, të kontribuojë në përfshirjen e tyre më të lehtë në tregun e punës.

Nga aty, interesin e dobët dhe mbulimin minimal ia atribuojnë pandemisë kovid-19, por pohojnë se po punojnë vazhdimisht në gjetjen e mënyrave të reja për të tërhequr qytetarët për të hyrë në shërbimet që i ofron projekti.

“Kështu, për shembull, u mundësua shkëmbimi elektronik i të dhënave ndërmjet qendrave për punë sociale dhe qendrave për punësim. Më pas në vitin 2021, APRMV përmirësoi sistemin e saj, i cili tashmë në vitin 2022 mundësoi aplikimin elektronik të individëve, punëdhënësve dhe ofruesve të trajnimeve dhe shërbimeve, për pjesëmarrje në një pjesë të programeve dhe masave aktive dhe shërbimeve të punësimit”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për punësim.

Lidhur me çështjen e punës dhe bashkëpunimit me qendrat, APRMV thekson se secila prej qendrave ka në dispozicion kapacitete të ndryshme, por siç thonë ata gjithmonë ka mundësi për përmirësim dhe ky është misioni i tyre në të ardhmen.

Projekti në periudhën e ardhshme, siç bëjnë me dije nga Agjencia, do të fokusohet në realizimin e trajnimeve për të punësuarit në qendrat për punë sociale dhe qendrat e punësimit.

“Për sa i përket aktualizimit apo promovimit të Projektit, pra mundësive për arsimim, trajnim dhe punësim që ai ofron, duhet t’i kushtojmë vëmendje jo vetëm efekteve pozitive të zbatimit të programeve dhe masave aktive, por edhe efekteve negative që mund të paraqiten, ndërsa kur bëhet fjalë për këtë target grup, është efekt i stigmatizimit”, thekson Agjencia.

Të dhënat që APRMV i ka dorëzuar Meta.mk tregojnë se nga 1.108 persona të përfshirë në Programin për këshillimit dhe mentorim, rreth 32%, gjegjësisht, siç thonë ata, më shumë se 350 persona janë përfshirë në një nga programet dhe masat aktive të punësimit apo janë punësuar.

“Megjithatë, për momentin, këto shifra janë ende të vogla që të mund të nxjerrim konkluzione të përgjithshme”, thekson Agjencia, duke shtuar se projekti parashikon edhe kryerjen e një vlerësimi të ndikimit të shërbimeve që ofron me qëllim që të përcaktohet niveli i suksesit.

Agjencia për punësim sqaron se në vazhdimësi mbahen evidenca për numrin e të papunëve. Nga atje apelojnë që sipas Ligjit të ri për mbrojtje sociale, çdo person i aftë për punë të regjistrohet çdo muaj dhe rregullisht si i papunë – punëkërkues aktiv në mënyrë që të ketë pasqyrë më të madhe për numrin e të papunëve dhe të punohet drejt përmirësimit të qasjes në to për integrimin më të shpejtë të tyre në tregun e punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button