KF Shkupi sonte do të vazhdojë ëndrrën evropiane për kualifikim në Europa League

Në Irlandë sot do të ndeshet ekipi KF Shkupi kundër ekipit vendas Shamrock Rovers, ndeshje e cila do të fillojë nga ora 21:00, transmeton Portalb.mk.

KF Shkupi në këtë periudhë është përforcuar me disa futbollistë, duke përfshirë Albert Lamande Diene dhe Besir Demirin i cili u kthye në këtë ekip. Por, ky ekip është ankuar në lidhje me trajtimin që i është bërë nga autoritetet irlandeze.

“Skuadra jonë po pengohet në një mënyrë kaq të pahijshme, me mashtrime. Pavarësisht buxhetit tonë, ne po përpiqeshim t’i mbanim lojtarët tanë rehat duke rezervuar një aeroplan çarter dhe duke paguar mijëra euro për t’u siguruar që lojtarët tanë mund të arrinin me shëndet të mirë, por qeveria irlandeze nuk e dëgjoi UEFA-n, pavarësisht ndërhyrjes së tyre, na zbarkoi 300 km larg Dublinit dhe i dha ekipit tonë një trajtim të pamerituar në këtë rrugëtim”, u ankuan nga ekipi shkupjan.

Kjo është ndeshja e parë e fazës së tretë të ndeshjeve për kualifikimin në Europa League, ndërsa ndeshja kthyese do të zhvillohet në Shkup më 9 gusht prej orës 21:00.

Fituesi i kësaj xhiro do të luajë kundër humbësit të ndeshjes Qarabag – Ferencvaros, ndeshje e cila zhvillohet në kuadër të xhiros së tretë në kualifimet për Champions League.

Shkupi në rast se eliminohet nga Shamrock, garat evropiane do t’i vazhdojë në xhiron e fundit në kualifikimet për Conference League, ku do të ndeshet me ekipin që do të kualifikohet pas dy ndeshjeve ndërmjet Klaksvikit dhe Ballkanit të Kosovës.

Ndryshe, përveç Shkupit, Ballkani i Suharekës dhe Shkëndija e Tetovës janë ekipet shqiptarë që akoma kanë mundësi për t’u kualifikuar në kampionatet evropiane.

Në ora 19:00 Shkëndija do të fillojë ndeshjen kundër AIK-it, ndërsa Ballkani prej orës 20:00 kundër Klaksvik. Të dy ndeshjet janë ndeshjet e para në fazën e tretë për kualifikim në Conference League.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button